Në një postim në rrjetin social Facebook, përmes degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, babai i Taulant dhe Granit Xhakës, dy futbollistëve që kanë bërë historinë në futbollin zviceran e shqiptar, edhe për shkak të ndeshjeve kundër Serbisë, i ka dhënë mbështetje të plotë kërkesës të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës, që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik, zyrtar i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë.
Ragip Xhaka ka qenë i burgosur politik kur Kosova ishte e pushtuar nga Serbia dhe pastaj ka emigruar në Zvicër si pasojë e përndjekjes që ia bënte pushtuesi. Dy djemtë e tij, Taulant dhe Granit Xhaka, janë futbollistë profesionistë që kanë pushtuar skenën botërore të futbollit.
Ky është postimi i tij i plotë:
“E mbështes propozimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, që lulëkuqja të njihet si simbol i gjenocidit serb në Kosovë!
Lulëkuqja me katër petale, paraqet katër format e veprimeve të gjenocidit që ndodhi në Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.
Andaj ftojë të gjithë shqiptarët kudo qofshin në botë dhe institucionet shtetërore të Kosovës ta miratojnë këtë kërkesë që me 15 janar, me këtë simbol unik, të përkujtojmë viktimat e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Me respekt,
Ragip Xhaka.” – ka shruar ai përmes llogarisë së PDK-së dega në Zvicër, kryetar i së cilës është.
Qendra «Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur» e falënderon Ragip Xhakën për këtë mbështetje të rëndësishme. /2LONLINE/