Në ndeshjen e javës së 14-të në Superligë, mes Vushtrrisë dhe Gjilanit, mbrojtësi Jackson Ferreira ishte shënjestër e ofendimeve në baza racore nga disa tifozë të Vushtrrisë.
Skuadra e Gjilanit ka reaguar ashpër, duke kërkuar që aktorët e kësaj ngjarje të dënohen.
Futbollisti i Gjilanit, Ferreira është brazilian dhe luan në pozitën e mbrojtësit.
Kjo është komunikata e plotë e SC Gjilanit:
“Përgjatë zhvillimit të takimit të sotëm disa tifozë të Vushtrrisë nuk kursyen dhe ofendimet karshi futbollistëve dhe stafit tonë.
Disa prej tyre përdorën gjuhën më banale, e disa ofenduan edhe në baza racore futbollistin tonë Brazilian, Jackson Ferreira.
SC Gjilani dënon rëndë këto dukuri në stadiumet tona të cilat nuk kanë vend në ambientin ku duhet të zhvillohet futboll dhe jo të ofendohet futbollisti ynë në ato lloj mënyra, nga ata tifozë që në asnjë moment nuk e kursyen atë nga këto lloj ofendime.
Skuadra e Gjilanit i qëndron afër dhe e mbështet futbollistin tonë dhe me shpresë se këto dukuri negative të cilat fatëkeqësisht janë ende prezente në stadiumet tona, të ndalen dhe rastet sikur ky i sotmi të mos përsëriten më”.