Pandemia e fundit na tregoi të gjithë botës se sa të dobët jemi para katastrofave që vijnë nga “fuqia madhore”, e në veçanti na tregoi neve në Kosovë si një shtet i ri qe jemi se qeverisja nuk kalon vetëm neper “ditë të bardha”. Ajo kalon edhe nëpër momente tejet të rënda siç janë: tërmetet, vërshimet, epidemitë e ne rastin e fundit pandemitë. Prandaj, shteti gjithherë duhet të jetë i gatshëm që të përballet me to në mënyrën më të mirë që mundet.
Shkruan: Arben DUBOVA
Në Kosovë, pothuajse asnjë qeveri, as lokale e as qendrore nuk është marrë seriozisht me emergjencat civile, respektivisht i kanë neglizhuar ato skajshmërish duke mos i ndarë buxhet të mjaftueshëm atyre dhe duke mos investuar në to aspak.
Tërmeti i fundit në Shqipëri na dridhi deri diku duke na rikujtuar se shtëpia (shteti) nuk bën të qëndrojë asnjë sekondë pa fonde emergjence apo pajisje dhe staf të duhur për t’u përballur me situatat emergjente, mirëpo meqë tërmeti ishte ngjarje e izoluar dhe vendet tjera që nuk ishin prekur nga ai i akorduan ndihma të mëdha Shqipërisë, kjo fatkeqësi megjithatë kaloi pa shqetësime të mëdha të klasës politike atje.
Pra, askush së paku nuk dha dorëheqje apo nuk u burgos si shenjë fajësie që e kishin lënë shtetin në mëshirën e fatit, pa asnjë qindarkë në fondin emergjentë.
Pandemia e fundit Covid 19, gjithashtu po na tregon neve në Kosovë sa të papërgjegjshëm ishin këta që shkuan (Ramushi, Kadriu, Fatmiri…), bile edhe Hashimi sepse këta të parët e lanë shtetin pa fond rezervë i cili do të duhej të i gjendet vendit në “ditë të zeza”, sikur këto që po kalojmë tani, ndërsa presidenti i vendit gjithashtu ka përgjegjësi si i pari i vendit që është e qe nuk ia tërhoqi asnjëherë vërejtjen qeverisë mbi shpenzimin e fondit emergjent, por iu bashkua valles së “masakrimit” të buxhetit bashkë me ta.
Urojmë që këtë situatë ta kalojmë sa më shpejtë dhe pa viktima, por në të njëjtën kohë duhet të jemi koshient dhe të kthjellemi e mos ta lëmë shtëpinë tonë në dorën e fatit dhe të tjerëve sepse në situata të tilla si kjo, askush nuk mundet dhe nuk do të ndihmon, secili e ka hallin e vet, prandaj ne duhet të i dalim vet zot vetes duke qenë të përgatitur se në çdo moment mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi kolektive, por duke e lutur zotin që asnjëherë të mos ndodhë!