Sot në Pejë frymohet me futbollin, këtë lojë magjike dhe kjo falë dy skuadrave Kf.Prishtina dhe Kf.Drita që në këtë qytet zhvillojnë ballafaqimin e xhiros së fundit, por që është përcaktuese se kush do të bëhet kampion.
Por, ethet e futbollit kanë kapluar krejt Kosovën, por natyrisht më së shumti qytetin e Gjilanit dhe atë të Prishtinës. Adhuruesit e këtyre dy ekipeve po e presin titullin, po presin që skuadra e tyre të shpallet kampion.
Edhe qyteti i Gjilanit, që këto ditë është veshur bardh e kaltër, e që përmes qindra tifozëve “intelektual”, i ka dërguar këto ngjyra edhe në Pejë, në mbështetje të klubit të zemrës, po pret me padurim ta rikthejnë titullin, pas një pritjeje prej 15 viteve.
Të gjithë janë optimistë se në qytetin e Gjilanit sot do të jehojë kënga e intelektualëve. Kënga për Dritën. Të gjithë presin fitore të saj, që të bërit kampion të manifestohet me triumf edhe në fushën e blertë, ndonëse Dritës i mjafton edhe barazimi, bile edhe një humbje minimale, për ta fituar epitetin e kampionit të Kosovës në futboll.
Ky ballafaqim që me të drejtë quhet superfinale ka zgjuar interesimin e të gjithëve, madje edhe pse në stadium do të mund të jetë i pranishëm një numër i kufizuar i intelektualëve, për në Pejë kanë udhëtuar me qindra adhurues që nëse jo në stadium, jashtë saj do ta bëjnë festën e madhe të fitores, thonë drejtuesit e intelektualëve.
E, në përkrahje të KF Drita, kanë dal edhe personalitete të ndryshme gjilanase, shumica përmes prononcimeve apo postimeve nëpër llogari të tyre në rrjete sociale, në format e tyre e mbështesin këtë klub për ndeshjen e sotme dhe janë bërë gati për të kremtuar.
Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në një postim në profilin e tij në FB ka shkruar: “Jemi veç një hap drejt realizimit të ëndrrës”
Ja postimi i plotë
Jemi veç një hap drejt realizimit të ëndrrës. Uroj të jetë ndeshje fairplay. Krejt Gjilani e Anamorava jemi me ju!
Ndërsa, edhe Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit e cila ka shkruar në profilin e saj se Qyteti i Gjilanit është zgjuar sot me ndjenjën e kampionit.
Ja postimi i saj i plotë:
Sot, qyteti i Gjilanit është zgjuar me ndjenjën e kampionit. Me shkas… Fillimisht KF Gjilani dhe “Skifterat”, meritueshëm vazhduan rrugën në Superligën e Kosovës në futboll, e sot FC Drita, me gjithë sukseset që ka treguar deri më tani, është ajo e cila do të përkujdeset edhe për ta bërë hapin e fundit, realizimin e ëndrrës së “Intelektualëve” dhe të qytetit të Gjilanit, për Dritën Kampion.
FC Drita, drejtë UEFA Champions League. Urime që tani! –
Shpresa Kurteshi -Emini
Përndryshe, sipas drejtuesve të intelektualëve, në sheshin “Agim Ramadani”, gjilanasit mund ta përcjellin në monitor ndeshjen live të takimit Prishtina – Drita, pasi kanë organizuar hapësirat për një gjë të tillë.
Festë e madhe premtohet nga Kryesia e klubit Drita.
Pra, e diel, 20 maj – ora 16:00
Luajnë për titullin kampioni: Prishtina – Drita. /2LONLINE/