(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit e ka ofruar të mërkurën në debat publik Kornizën Afatmesme Buxhetore 2015-2017, ku pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e kënaqshme. Ata kanë dhënë sugjerime dhe kanë paraqitur kërkesa për t`u përfshirë në planifikim buxhetor për tri vitet e ardhshme.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal i ka inkurajuar qytetarët që t`i japin kontributet e tyre në KAB, duke thënë se i mirëpresim të gjitha kërkesat.
Njëherësh, ajo i ka rikujtuar qytetarët se më 30 qershor mbahet edhe debati i kryetarit të Komunës, ku ata do të kenë mundësi t`i shprehin kërkesat e tyre, duke thënë se kontaktet dhe bashkëpunimi me qytetarët, do të jenë të përhershëm.
Përndryshe, Salih Kqiku, drejtor për Buxhet, ka thënë se KAB është bazë për caktimin e politikave zhvillimore si dhe prioriteteve për periudhën 2015-2017. Sipas tij, duke respektuar kufijtë buxhetor të Ministrisë së Financave, për vitin 2015 është planifikuar një buxhet prej mbi 21 milionë euro, ndërsa bazuar në kërkesat e drejtorive dhe nevojat e qytetarëve, në variantin e dytë, është planifikuar buxheti prej mbi 25 milionë e 712 mijë euro.
Për vitin 2016, buxheti i planifikuar është afër 26 milionë euro, ndërsa për vitin 2017 është 26 milionë e 285 mijë euro, ka thënë ai.
Shaban Terziu nga shoqëria civile, ka kërkuar që të planifikohen më shumë mjete për bujqësi, sikurse edhe Xhelil Zeqiri nga fshati Haxhaj, i cili ka thënë se fermerët duhet të përkrahen më shumë. Përgjigja e Ramiz Ramadanit, drejtor i Bujqësisë, ka qenë se do të ketë investime dhe subvencione substanciale për të gjithë fermerët.
Jakup Rrustemi e Shemsi Hasani kanë kërkuar të dinë nëse janë planifikuar për asfaltim rrugët në lagjen “Bregu i Djegur” dhe “Dheu i Bardhë”, kurse Shahadije Rexhepi ka kërkuar që në buxhetin komunal të parashihet edhe financimi i Qendrës për strehimin e grave dhe fëmijëve “Liria”.
Isa Shefkiu nga OJQ “Anamorava” tha se debatet me qytetarë duhet të organizohen edhe nëpër lokalitete, ku pos që duhet të bëhet identifikimi i kërkesave, duhet të planifikohet edhe afati për përmbushjen e tyre, duke u bazuar në mundësitë buxhetore, ndërkohë ka nënvizuar nevojën për ndërtimin e trotuarit nga Spitali Regjional deri te pika e karburanteve “Kosova Petrol”, sikurse edhe ndriçimin publik në këtë rrugë.
Sa i përket infrastrukturës rrugore, Avdyl Aliu (LDK), tha se investimet janë planifikuar në projekt-buxhet dhe disa prej kërkesave tashmë kanë filluar të realizohen në terren.
Sokol Haziri, drejtor për Shërbime Publike, ka thënë se nuk pretendojmë se mund t`i zgjidhim të gjitha kërkesat e qytetarëve përnjëherë, por jemi duke punuar gjithandej. Sa i përket ndriçimit publik, ky projekt do të kryhet sivjet në qytet dhe fshatrat e komunës së Gjilanit, ka thënë Haziri, duke nënvizuar se edhe sinjalizimi horizontal do të fillojë së shpejti.
Edhe Zijadin Maliqi, këshilltar komunal, Naser Sylejmani (Urbanizëm), Enver Biçkaj (Shërbime Publike) dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit, kanë folur për projektet konkrete që janë duke u kryer, për ato që janë në procedurë të tenderimit, ose që do të kryhen në fazën tjetër, sipas radhës së punëve. /2L ONLINE/