Përkundër paraqitjes edhe të 4 rasteve të reja që sot janë konfirmuar në Stubëll të Vitisë, gjendja aktuale në komunën e Vitisë është nën kontroll.
Kryetari i komunës Sokol Haliti ka mbajtur sot takim me anëtarët e komitetit komunal për menaxhim të situatës, me që rast janë ndarë përgjegjësit nëpër dikasteret e ndryshme komunale, ku është kërkuar nisja e procedurave për tenderimin e një kompanie për dezinfektim të objekteve publike, përfshirë shkollat, objektet fetare dhe institucionet tjera.
Po ashtu, u kërkua që përmes këshillave të fshatrave të identifikohen familjet që kanë nevojë për ndihmë, ndërkohë që është kërkuar edhe shtimi i kapaciteteve në kujdestari në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Në këtë takim të këshillit emergjent, u theksua nevoja e mbështetjes nga niveli qendror, për pajisje mbrojtëse si dhe për material të domosdoshëm higjienik.
Kryetari Haliti, ka kërkuar një përkushtim më të madh të Qeverisë së Kosovës për komunën e Vitisë, ngase ka nevoje për mbështetje, kurse ka falënderuar qytetarët që po respektojnë vendimin për mosdalje nga shtëpitë, gjë që po i kontribuojnë në të mirë të situatës për të qenë nën kontroll.
Ndryshe, komuna e Vitisë sot ka hyrë në ditën e tretë që kur është hyrë në karantinë.