Disa qytetarë të Kosovës janë ankuar se nuk ka termine për vaksinim kundër COVID-19 në qendrat e vaksinimit, shkruan Infosot.com
Ani pse vazhdimisht po bëhet thirrje për vaksinimin, qytetarët po përballen me mungesën e datave të lira për caktimin e termineve.
Nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Infosot.com thonë se për shkak të fluksit të madh të qytetarëve të interesuar për tu vaksinuar, deri në fillim të muajit shtator nuk do të ketë termine të lira.
Nga MSh gjithashtu sqarojnë se përvec platformës eKosova, qytetarët mund ta caktojnë terminin edhe duke u paraqitur fizikisht në QKMF-të kryesore.
“Caktimi i terminit përvec përmes platformës eKosova mund të bëhet edhe në mënyrë fizike përmes QKMF-së kryesore të komunës përkatëse përmes regjistrimit aty në Basic HIS. Për shkak të interesimit të madh për vaksinim, posaqërisht gjatë muajit gusht, tërminet deri më datë 6 shtator janë mbushur. Megjithate, me që ka vaksina, do të gjenerohen termine të reja dhe procesi i vaksinimit do të vazhdojë me këtë ritëm të lartë” thonë nga MSh.
Tutje, theksojnë se janë shtuar edhe ekipet e vaksinimit, raporton Infosot.com
“Janë rritur edhe ekipet e vaksinimit, prej 89 sa kane qenë në fillim në 314 ekipe vaksinimi, ndërsa vetem Prishtina i ka 50” përfundon përgjigja e MSh-së.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 18 viktima nga COVID-19.
Kujtojmë se dje janë raportuar edhe 2 mijë e 295 raste të reja të infektuara me këtë virus ndërsa 18 viktima kanë humbur jetën. Në total numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë është 24.939. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 747.898 doza të vaksinës.