Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti, është pajisur sot edhe me një autoambulancë, fal bashkëpunimit me Organizatën “Qëndresa Kosovare” dhe donatorëve nga shteti I Kuvajtit.
Pranim dorëzimin e kësaj autoambulance e bëri përfaqësuesi i organizatës “Qëndresa kosovare” Islam Cakaj dhe kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti.
Me këtë rast, kryetari Haliti ka falënderuar udhëheqësit e organizatës në fjale dhe popullin kuvajtian për këtë donacion mjaft me vlerë, duke konsideruar si shumë të domosdoshëm dhe në kohën më të duhur.
Ai përmendi dhe shprehu falënderim edhe për investimet që Kuvajti ka bërë muaj më parë në ndërtimin e ambulantes së fshatit Tërpezë, kur edhe ishte premtuar se do të sjellin edhe një autoambulancë për QKMF-në në Viti.
Kryetari Haliti u shpreh gjithashtu se do të vazhdojnë bashkëpunimin me “Qëndresën kosovare” edhe në të ardhmen, duke parë nevojat që paraqiten në teren.
Kurse Islam Cakaj nga kjo organizatë, tha se është më se i kënaqur që po realizon edhe një donacion për komunën e Vitisë, konkretisht shëndetësinë e kësaj komune dhe ka falënderuar udhëheqësit e QKMF-së për bashkëpunim të ndërsjellët.
Sipas drejtoreshës së QKMF-së Vjollca Kadolli, me autoambulancën e dhuruar sot, QKMF në Viti numëron 5 autoambulanca. /2LONLINE.com/