E drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e saj të rregullt, të 21-tën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Pika e parë që mori miratimin e Qeverisë së Kosovës, ishte vendimi për kursime dhe ndarje buxhetore, si dhe për transfere dhe rialokime të organizatave buxhetore për vitin 2017.
Vendimi për inkasimin e fondeve të pa alokuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, sipas njoftimit nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, mori aprovimin e kabinetit qeveritar.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Programi i Statistikave Zyrtare për vitet 2018-2022. Qëllimi i këtij Programi është avancimi dhe zhvillimi në nivel më të lartë të Sistemit të Statistikave të Kosovës në aspektin e qëndrueshmërisë dhe besueshmërisë statistikore.
Edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare sipas kërkesës së Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Kabineti qeveritar aprovoi edhe rekomandimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me raportin vjetor të auditimit për vitin 2016 të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Qeveria mori vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 02/31 të datës 28 gusht 2008, listës së personave të pajisur me pasaportë diplomatike, pos këshilltarëve të Kryeministrit i shtohet edhe nga një këshilltar i zëvendëskryeministrave.
U miratua edhe vendimi me të cilin i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës të marrë vendim që ta heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit Ndërmarrjen “Qendra shoqërore, sportive, kulturore dhe ekonomike Pallati i Rinisë”.
Kryeministri Haradinaj tha se me këtë vendim i propozohet Kuvendit të Kosovës që të marrë vendim që ta heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ndërmarrjen “Qendra shoqërore, sportive, kulturore dhe ekonomike e Pallati i Rinisë” me numër reference PRN 067 dhe ta autorizojë Qeverinë e Kosovës që këtë ndërmarrje shoqërore dhe asetet e tij t’i regjistrojë si ndërmarrje publike lokale. Të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ndërlidhen me këtë ndërmarrje nga momenti i regjistrimit të saj si ndërmarrje publike lokale do të trajtohen sipas Ligjit përkatës për Ndërmarrjet Publike.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Pallati i Rinisë në Prishtinë, është në një gjendje të rëndë dhe mos definimi i kompetencave e ka mbajtur në këtë gjendje pallatin. Komuna e Prishtinës ka marrë vendim në asamble që të marrë përgjegjësinë, pra ta marr në kompetencë Pallatin e Rinisë, i cili dikur është ndërtuar me djersën e qytetarëve.
“Vendimi ynë i sotëm e hapë rrugën që Kuvendi ta kalojë në kompetencë të Komunës së Prishtinës, si Ndërmarrje Publike Lokale dhe me këtë Qeveria e përmbyllë pjesën e vet të punës, në mënyrë që të përshpejtohen procedurat dhe Pallati i Rinisë jo vetëm të ketë pronarin, që në këtë rast është Prishtina, qytetari i Prishtinës, por edhe të gjejë partnerë për zhvillimin e mëtejmë”, tha kryeministri Haradinaj.
U aprovua edhe vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit, Sektori C3 Zona Kadastrale Paldenicë, Komuna Hani i Elezit.
Kabineti qeveritar mori vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, pika kufitare Merdar, Komuna Podujevë.
U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, të cilat preken nga realizimi i Projektit të Infrastrukturës “Zgjerimi i Rrugës Nacionale R 107”, segmenti hyrja në qytetin e Prizrenit.
Qeveria miratoi edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të cilat preken nga realizimi i Projektit “Rehabilitimi i Rrugës Nacionale N25.3”, segmenti Kllokot-Gjilan.
U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, të cilat preken nga realizimi i Projektit të Infrastrukturës “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N2”, Segmenti hyrja në qytetin e Ferizajt.
Qeveria mori edhe vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, të cilat preken nga realizimi i Projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25.2”, hyrja në Gjilan.
U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të përhershëm dhe me krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projekteve.
Vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave, të cilat preken nga realizimi i Projekteve: Ndërtimi i Memorialit “Baza e I-rë e UÇK-së”, Zona Kadastrale Lladovc dhe Memoriali “Kulla e Zahir Pajazitit”, Zona Kadastrale Orllan, Komuna e Podujevës, mori miratimin e Qeverisë së Kosovës.
Kabineti qeveritar mori vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 05/24 të datës 17.04.2015 për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës.
Poashtu, edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emërimin e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës Rregullative të Energjisë, u aprovua në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria miratoi edhe kërkesën për ndarjen e mjeteve financiare prej 16.800 euro për pagesën e qirasë për 2 vjet për Shoqatën e Malazezëve të Kosovës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, njoftoi kabinetin qeveritar për situatën energjetike në vend, duke thënë se është krijuar një ekip teknik emergjent i energjisë, i cili kërkohet edhe me Ligj në rastet kur nuk ka furnizim stabil të energjisë, i cili po ashtu ka përgatitur edhe raportin dhe i është dërguar Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.
Kryeministri Haradinaj pas informatës së marrë lidhur me situatën e krijuar energjetike tha se kriza në vend ka ndodhur pasi që rezervat e qymyrit janë harxhuar.
Kryeministri theksoi se KEK-u e ka pasur për obligim që këto rezerva t’i ruaj për dy vjet dhe nuk është ndërmarrë veprimi i nevojshëm për mihje të reja që të mund të krijohen rezerva. Kryeministri tha se gjatë këtyre 100 ditëve janë shpejtuar procedurat e shpronësimit, është mundësuar që të kthehen ekskavatorët në punë dhe sot, dhe përkundër kësaj prodhojnë vetëm nga një bllok me qymyr të vendit dhe pjesa tjetër importohet.
“Çmimi i importit është aq i lartë dhe këto rrethana e shkaktojnë këtë, dhe jo investimi i ri i termocentralit “Kosova e Re””, tha kryeministri.
Kryeministri tha se menaxhmenti i KEK-ut nuk i ka shtjerrë të gjitha mundësitë, që të punojnë ekskavatorët dhe që të punojnë me nga dy blloqe.
“Qeveria e vendit nuk do t’ia japë asnjë cent KEK-ut për importin. Ata janë kompani dhe duhet të menaxhojnë këtë kohë të krizës dhe të gjejnë mënyra të financimit të importit, në mënyrë që në kohë të verës, kur kanë tepricë, t’i mbulojnë këto që ndodhin sot, por qytetarët e vendit nuk do t’i paguajnë këto”, theksoi kryeministri Haradinaj.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7437