Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, i cili do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Projektligji përcakton Buxhetin dhe me miratimin e tij do të bëhet i detyrueshëm për të gjitha institucionet që përfshihen në këtë Buxhet të Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Kryeministri Haradinaj ka shprehur falënderimin për angazhimin e Ministrisë së Financave në përgatitjen e Draft-buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2018. Buxheti siguron qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik të Kosovës, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.
Ministri i Financave ka vlerësuar se ky buxhet do të siguroj qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të transfereve sociale dhe rritje te investimeve kapitale.
Projektbuxheti parasheh të hyra të përgjithshme në vlerën prej 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të kapin shifrën prej 2 miliardë e 82 milionë euro.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar Raportin e Komitetit Drejtues të Asistencës Teknike, Energjia dhe Linjiti. Në ketë rast është aprovuar Raporti i Komitetit Drejtues të Asistencës Teknike Energjia nga Linjiti, përgjegjës për Projektin Termocentrali Kosova e Re. Raporti përshkruan procesin e finalizimit të marrëveshjes me investitorin “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit të ri.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për autorizimin e kompanisë amerikane “Patton Boggs” që të përfaqësoj Kosovën në kontestin me kompaninë AXOS kapital GMBH, në Tribunalin Ndërkombëtarë të Arbitrazhit.