Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Në të njëjtën kohë, edhe Ministria e FSK-së, do të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes. Ky vendim vjen pas miratimit që një ditë më parë i dha Këshilli i Sigurisë së Kosovës, analizës së Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë.
Atë që e kishte thënë më 17 shkurt të këtij viti, kryeministri Hashim Thaçi e ngriti edhe në mbledhjen e Qeverisë. Ai tha se shndërrimi i FSK-së, në Forca të Armatosura të Kosovës, tani do të bëhet realitet.
“Siç kemi deklaruar më 17 shkurt të këtij viti, sot ne po vendosim që FSK-ja të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës dhe rrjedhimisht të ndryshojë misionin, detyrat, strukturën dhe madhësinë. Si dhe FSK-ja të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës”, tha ai, transmeton RTK.
Kryeministri Thaçi tha se kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.
“Kjo është në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve tanë, pa dallime etnike, fetare apo politike. Kjo është në të mirë të rajonit pa përjashtime. Kjo është në interesin e proceseve integruese dhe dëshmon përkushtimin tonë se Kosova është e gatshme të transformohet, të prodhojë më tepër siguri, të jetë garantues i sigurisë së vetë dhe bazuar në hapat e mëtutjeshëm, të jenë faktorë relevantë i sigurisë rajonale, por edhe globale”, u shpreh Thaçi.
Ministri i FSK-së, Agim Ceku, foli për detyrat që do t’i ketë FSK-ja.
“Misioni i Forcave të Armatosura të Kosovës është që të jenë gjithmonë të gatshme ta mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial, për t’i mbrojtur qytetarët, pronat e tyre dhe interesat e Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe atij global”, tha Ceku.
Sa i përket buxhetit për ngritjen e FSK-së, ministri Ceku tha se kërkohet 5 milionë shtesë për pesë vjetët e ardhshëm për ngritjen e Forcës së Armatosur të Kosovës. Ndërtimi i Forcave të Armatosura, do të bëhet në tri faza, duke filluar nga ky vit deri në vitin 2016,ku mes tjerash do të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore. Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i kenë 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë.