(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani me bashkëpunëtorët ka pritur sot në një takim shefen e misionit Japonez në Kosovë zonjën Mayo Ito, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e Qeverisë Japoneze dhënë Komunës së Kamenicës.
“Komuna e Kamenicës u është mirënjohëse Ju dhe popullit japonez për mbështetjen që i keni dhënë komunës fillimisht në shëndetësi dhe pastaj edhe me donacionin e dhënë zjarrfikësve të Kamenicës. Qeveria komunale do të aplikoj sërish në thirrjet që shpallni për grantet sepse nevojat për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet e jetesës në këtë komunë janë të mëdha.
Jam i përkushtuar të vazhdojmë përmirësimin e kushteve në shëndetësi dhe me theks të veçantë jam i përkushtuar të ndihmoj shoqatën “Handikos” e cila mbështet dhe angazhohet për më shumë se treqind anëtarët e saj, po ashtu unë kam pranuar një kërkesë për renovimin e konviktit të nxënësve në Kamenicë dhe ne do ti shqyrtojmë këto kërkesa e me ndonjërën prej tyre do të aplikojmë së shpejti” tha kryetari Sinani.
Zyrtarja e lartë japoneze u shpreh e kënaqur që ndodhej në Kamenicë, “Shpresoj që mbështetja që i kemi dhënë zjarrfikësve të ndikoj që të ruhen jetët e njerëzve këtu, u ndjeva mirë kur i pashë zjarrfikësit të kënaqur me mbështetjen që u kemi dhënë dhe me krijimin e kushteve më të mira për punë, ju inkurajoj që të aplikoni edhe për grante të tjera këtë vit ose vitin që vjen, misioni ynë është për të mbështetur dhe për të ndihmuar andaj këtë e bëjmë me kënaqësi të madhe” tha Mayo Ito.
Paraprakisht zyrtarja japoneze vizitoi zjarrëfiksësit ku u prit nga drejtori i Mbrojtjes dhe shpëtimit Faik Rexhepaj si dhe komandanti i Zjarrfikësve Riza Bunjaku. Komuna e Kamenicës ka përfituar si donacion një kamion zjarrfikësish me të gjitha pajisjet e nevojshme me vlerë 128.033 euro. /2lonline/