Qeveria e Kosovës është informuar sot nga kryeministri Ramush Haradinaj për vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktivitetet dhe takimet e zhvilluara.
Kryeministri ka vlerësuar vizitën e suksesshme, sidomos takimet që janë zhvilluar në Nju Jork dhe në Uashington. Ai ka njoftuar anëtarët e Qeverisë me agjendën e plotë të takimeve dhe ka vlerësuar se vizita ka arritur epilog të plotë pozitiv.
Kulmin e vizitës e shënon pritja nga James Mattis, Sekretar i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve, në Uashington. “Partneritetit i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon dhe është duke u thelluar”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.
Qeveria është informuar edhe për procesin e realizimit të pagesës së orëve shtesë të Policisë së Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme ka njoftuar kabinetin qeveritar me situatën e krijuar nga nevoja e operacioneve për angazhim të zyrtarëve policor me orar të zgjatur dhe pamundësia për të kompensuar orët shtesë me kohë të lirë për shkak të nevojës së ruajtjes së efikasitetit dhe efektivitetit të funksionimit të Policisë së Kosovës. Ministri a do të përgatis një analizë të kostos së kompensimit të orëve shtesë të policisë dhe do ta sjell për aprovim në Qeverinë e Kosovës.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe Projektligji për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës. Të dhënat hapësinore janë shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme për institucionet e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Aktualisht në Kosovë përgatiten të dhëna hapësinore nga shumë institucione nga lëmi të ndryshme. Këto të dhëna përgatiten në formate të ndryshme dhe shpesh ka vështirësi në këmbimin dhe përdorimin e tyre. Prandaj, është shumë e nevojshme që të dhënat kryesore që krijohen nga institucionet e ndryshme të sistemohen në një bazë të të dhënave që do të përbëjnë infrastrukturën kombëtare të të dhënave hapësinore për Republikën e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar në mbledhjen e sotme Projektligjin për Mbrojtje nga zhurma, i cili do të krijojë përputhshmërinë me direktivat e Parlamentit Evropian. Ky Projektligj do të jetë edhe më i zbatueshëm sepse bënë edhe ndarjen e përgjegjësive për zbatimin e tij nga komunat dhe përgjegjësit e institucioneve për zbatim.
Projektligji detajon rregullat dhe kushtet për përgatitjen e hartave strategjike të zhurmës dhe planin e informimit të publikut. Projektligji është i pajisur me shtojcat që paraqesin indikatorët e zhurmës, metodat e vlerësimit dhe ndikimit të dëmshëm të zhurmës.
Pas shqyrtimit është miratuar në mbledhjen e sotme edhe Rregullorja për lehtësirat doganore dhe tatimore për punëdhënësit që punësojnë persona me aftësi të kufizuara si dhe për personat me aftësi të kufizuara që ushtrojnë veprimtari të pavarur. Më herët nuk ka pasur ndonjë akt juridik që ka rregulluar këtë çështje, ndërsa Ligji për aftësimin dhe riaftësimin profesional si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar ka krijuar bazën ligjore për rregullimin dhe përcaktimin e këtyre lehtësirave. Përveç kësaj Rregulloreje janë në proces të hartimit edhe disa akte tjera nënligjore të cilat do të promovojnë aftësimin profesional si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin me të cilin ka emëruar Lum Mitën, udhëheqës i Divizionit për bashkëpunim ndërkombëtarë financiar në Ministrinë e Financave, në pozitën e përfaqësuesit të Republikës së Kosovës në Këshillin Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.
Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar, Nexhmije Pagarushës i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës shqipe. Me fitimin e këtij statusi, znj. Nexhmije Pagarusha do të kompensohet financiarisht me 500 euro në muaj.
Janë miratuar në parim dy nisma për lidhjen e marrëveshjeve për plotësimin dhe ndryshimin e marrëveshjeve financiare IPA 2012 dhe IPA 2013. Ministria e Integrimit Evropian do të ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të finalizimit të marrëveshjeve.
Edhe vendimi për miratimin e nismës për aderimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Trajnimit Policor të Frankofonisë, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.
Gjatë negocimit të kësaj marrëveshjeje, Ministria e Punëve të Brendshme obligohet të procedojë konform dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare.
Ministrja e Integrimit Evropian ka informuar kabinetin qeveritar me vizitën në Strasburg dhe takimet me komisionarin Johannes Hahn dhe sekretaren e shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme të Austrisë, Karoline Edtstadler në të cilat është diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave.
Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë janë ndarë mjete financiare për të mbështetur Gjimnazin “LOYOLA” me 308 mijë euro dhe Shkollën Profesionale “LOYOLA” me 350 mijë euro.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar ka prezantuar kërkesën e komunitetit turk që kuota e kalimit të testitit për pranim në Policinë e Kosovës për pjesëtarët e komunitetit turk, të ulet nga 70% në 50%. Qeveria ka miratuar rekomandimin për Policinë e Kosovës që të shqyrtojë mundësitë për krijimin e kushteve më të favorshme për pranimin e pjesëtarëve të komuniteteve në Policinë e Kosovës.
Ministria e Financave ka propozuar ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, me qëllim të mbështetjes së funksionimit të rregullt të disa prej ndërmarrjeve publike që aktualisht gjenden në pozitë të pafavorshme financiare.