Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, zhvilloi mbledhjen e saj të katërt me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime nga fushat e përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj, ka njoftuar kabinetin qeveritar me fokusin e aktiviteteve të Qeverisë në ditët në vijim. Do të fillojë me procedimin e përzgjedhjes së bordit të “Trepçës”, me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për përvojën e punës dhe procedimin me obligimet e
Qeverisë ndaj kategorisë së grave viktima të luftës.
Vendimi i parë i kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ka qenë emërimi i anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij. Komisioni do të ketë këtë përbërje:
1. Shpejtim Bulliqi, Universiteti i Prishtinës, kryesues;
2. Zejnullah Gruda, Universiteti i Prishtinës, anëtar;
3. Martin Berishaj, Universiteti i Lubjanës, anëtar;
4. Hamit Basholli, Gjeodet, anëtar;
5. Florim Isufaj, Universiteti i Prishtinës, anëtar;
Në Komision do të përfaqësohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës; i Ministrisë së Punëve të Brendshme; i Ministrisë së Infrastrukturës; si dhe dy përfaqësues të komunitetit, pa të drejtë vote (Riza Smakaj dhe Zymer Neziri).
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2017. Ndryshimet e plotësimet ruajnë qëndrueshmërinë në pagesat e shpenzimeve dhe obligimeve kontraktuale të Republikës së Kosovës. Projektligji do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.
Plotësim ndryshimet e Rregullores për fushat e përgjegjësive administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismat për nënshkrimin e marrëveshjeve financiare trelaterale për Programin e bashkëpunimit ndërkufitar të IPA II me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme, janë ndarë mjetet financiare për kompensimin e sekretarisë dhe Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, për punën gjatë vitit 2016 dhe 2017.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së për rregullimin e protezave dhe vendimin për ndarje të mjeteve për rehabilitimin e invalidëve të luftës së UÇK-së.
Kabineti qeveritar është njoftuar për zhvillimin e mbledhjes së parë të Komitetit të stabilizim-asocimit Bashkimi Evropian-Kosovë, që do të zhvillohet me në fillim të tetorit të këtij viti në Bruksel. Kabineti është informuar edhe për takimin e nën-komitetit të MSA-së për ekonomi, çështje financiare dhe statistika. Nga Ministria e Integrimeve Evropiane, qeveria është informuar edhe për procesin e punësimit të bursistëve të rinj nga skema e profesionistëve të rinj.
Qeveria ka ndarë 356,300 euro për renovimin e shkollës “Musa Hoti”, në Mitrovicë, pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri, ndërsa 200,000 euro janë ndarë për sigurimin e mazutit për ngrohtoren e Gjakovës.
Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 200 mijë eurove për mbështetjen e shoqatave që merren me çështjet e kategorisë së viktimave të dhunës seksuale të luftës.
Qeveria ka shfuqizuar vendimin për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes public, të cilat preken nga implementimi i projektit për Qendrën turistike në Brezovicë, plasi që ky projekt ka dështuar.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar ka informuar për procesin e reformës së administratës publike dhe përmbushjen e indikatorëve që do të jenë përcaktues për përftimin e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për lejimin e importit të gazit medicinal, me procedurat e përshpejtuara, për nevojat e spitaleve në Republikën e Kosovës.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7000