Qeveria e Republikës së Serbisë ka pranuar dokumentin me kërkesat e liderëve politik shqiptar të Luginës dhe do të përgjigjet në një kohë adekuate.
“Në letër nuk janë shfaqur detajet e reja andaj që nuk mund të komentojmë mënyrën se si liderët shqiptar komunikojnë me autoritetet shtetërore dhe me krerët më të lartë të tyre. Të gjitha kërkesat e liderëve shqiptar ndodhen në raportin e qeverisë prej shtatë pikave i cili është miratuar më 4 qershor të këtij viti dhe me këtë akt qeveria është garantuese se lidhur me të do të bisedohet duke u respektuar para së gjithash, dhe në veçanti kushtetuta, ligjet, konventat ndërkombëtare as më pak e as më shumë”, kështu fillon deklarata e shkruar e kryetarit të Trupit Koordinues (TK) Zoran Stankoviq, duke iu përgjigjur letrës së liderëve politik shqiptar të Luginës, transmeton Titulli.
Stankoviq i bënë ftesë përfaqësuesve shqiptar që t’i vazhdojnë bisedimet në mënyrë që qytetarët mos të vuajnë dhe që mos të humbet koha e ardhshme.
“Jemi të sigurt se ata e njohin shumë mirë rregullimin shoqëror të këtij shteti dhe se qeveria deri në fund është për bashkëpunim dhe është e durueshme. Mendojmë se këtë besim nuk duhet ta vejmë në bast. Ne në Qeverinë e Serbisë jemi rrënjësisht të përcaktuar në rrugën e respektimit të kushtetutës, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e pakicave kombëtare”, thotë Stankoviq.
Zyrtari i Qeverisë së Serbisë dhe njëherit kryetar i TK-së thotë se zgjidhjet nuk gjinden në qasje selektive me aprovimin e kërkesave të njërës palë duke mos respektuar mundësit dhe kufizimet e palës tjetër.
“Liderët politik shqiptar të këtyre komunave duhet ta kenë të qartë se ligjet nuk është e mundur të aplikohen në mënyrë selektive sepse në këtë mënyrë degradohet sistemi ligjor i cili sjell pasoja serioze për të gjithë ne”.
“Është qëllim i mirë dhe dëshirë e jona që të zgjidhen problemet e kësaj pakice kombëtare por mendojmë se edhe ana tjetër duhet të tregojë se sa është përgjegjëse para shtetit i cili po jep mundin në zgjidhjen e problemeve të cilët vet liderët shqiptar para nesh i kanë paraqitur si prioritete. Qytetarët e këtyre komunave duhet ta dinë se Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë është duke u përpjekur për ta, ndërsa besojë se liderët shqiptar e dinë se krerët e qeverisë por edhe unë nuk do të biem në këto provokime”, deklaroi Stankoviq.
Sipas tij, nëse interesi i ndokujt i tejkalon interesat e njerëzve në këto komuna, atëherë duhet të merret përgjegjësi dhe të jetë i vetëdijshëm për faktin se sistemi juridik i këtij shteti do t’i sanksionojë këto sjellje.
Stankoviq problemin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë e sheh si çështje të brendshme të Serbisë dhe sic thotë ai të gjitha zgjidhjet gjenden në Kushtetutë, ligje dhe konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat vetëm që duhet respektuar.
“Edhe njëherë i thërrasim liderët politikë shqiptarë që të vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e problemeve të qyteteve në këto tre komuna. Nga ne edhe tani e kanë dorën e zgjatur”, përfundon deklaratën kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq.