Konsullata e Kosovës në Strasbourg të Francës është sulmuar, më ç’rast është vjedhur flamuri i Republikës së Kosovës dhe është shkatërruar stema e shtetit.
E, Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin e sulmit mbi Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasbourg, si dhe shkatërrimin e Stemës së Republikës së Kosovës dhe heqjen e flamurit shtetëror nga objekti i Konsullatës.
Sulmi që ndodhi në fundjavën e kaluar mbi Konsullatën e Përgjithshme dhe shkatërrimi i simboleve shtetërore, është një akt i papranueshëm që cenon integritetin e shtetit të Kosovës.
Republika e Kosovës është shtet sovran që respekton ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit.
Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh indinjatën e thellë ndaj këtij akti dhe duke vlerësuar angazhimin e menjëhershëm të organeve franceze, kërkon nga ato që të zbulojnë dhe të kapin autorët si dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë.