Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka aprovuar sot Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2018-2020, si dhe Strategjinë e Borxhit Publik 2018-2020, si dokument komplementar i KASH-it.
Ministri i Financave Avdullah Hoti duke prezantuar këto dy dokumente strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018-2020 paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për 2018.
“Qëllimi kryesor i KASH-it është që të ofrojë një analizë të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë. Prioritetet e vendosura në këtë dokument burojnë nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Programi për Reforma në Ekonomi 2017-2019, si dhe nga strategjitë sektoriale”, shtoi Ministri Hoti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se fushat prioritare të trajtuara në këtë kornizë janë: Arsimi, Qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, përmirësimi i shërbimeve për qytetarë dhe biznese, menaxhimi efikas i shpenzimeve publike, forcimi i të drejtave pronësore, përmirësimi i efikasitetit të gjyqësorit, industritë konkurruese, infrastruktura në energji, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, shtrirja e gjerë e teknologjisë informative, mbështetja e agrobiznesit, shfrytëzimi racional i resurseve ujore, menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve, menaxhimi i mbeturinave, integrimi evropian, politika e jashtme dhe çështjet e sigurisë, ku parashihet: zbatimi efikas i MSA-së në të gjitha fushat, zbatimi i reformave lidhur me krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës etj.
Sipas ministrit Avdullah Hoti projeksionet makroekonomike për KASH 2018-2020 janë përgatitur duke marrë për bazë të gjitha politikat të cilat janë duke u implementuar, si dhe iniciativat e reja.
“Zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë japin indikacione për një rritje ekonomike përgjatë kësaj periudhe prej mesatarisht 4.2%. Ky është një vlerësim konservator dhe rritja mund të tejkalojë dukshëm këtë nivel nëse bëhet progres në zbatimin e disa projekteve të mëdha në disa sektorë” theksoi Ministri Hoti.
Ai gjithashtu shtoi se “ajo që është me rëndësi në rritjen ekonomike është fakti se rritja pritet të vije gjithnjë e më shumë nga investimet vendore dhe të jashtme, e jo nga konsumi siç ka qenë rasti më herët”.
Sipas ministrit Avdullah Hoti të hyrat e përgjithshme parashihet të rriten mesatarisht prej 9% në vit. Kjo rritje vjen kryesisht nga rritja e të hyrave tatimore, e gjeneruar nga rritja ekonomike dhe nga zvogëlimi i informalitetit.
“Në këtë projeksion janë marrë parasysh edhe efektet në të hyra nga masat që kemi ndërmarrë përmes Pakos Fiskale 1 dhe MSA, si dhe masat që do të ndërmarrim përmes Pakos Fiskale 2”, shtoi ministri Hoti.
Ndërsa, sa i përket shpenzimeve, ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “shpenzimet për periudhën 2018-2020 parashikohen të rriten me rreth 7% në mesatare. Duhet theksuar se kjo rritje vjen kryesisht nga rritja në shpenzimet kapitale, të cilat parashihen të rriten në masën prej 14% në mesatare për periudhën e ardhshme afatmesme. Ndërkaq, shpenzimet rrjedhëse rriten me 3.6% në mesatare”.
“Bazuar në këto shtylla të planifikimit të kujdesshëm, shpenzimet e përgjithshme qeveritare projektohen të jenë rreth 33% e BPV-së në fund të periudhës planifikuese. Shpenzimet kapitale pritet të përfaqësojnë rreth 41% të shpenzimeve totale”, shtoi Ministri Hoti.
Ai bëri të ditur se si rezultat i zbatimit të politikave të kujdesshme fiskale dhe konsolidimit të vazhdueshëm të shpenzimeve publike, shpenzimet rrjedhëse parashikohet të mbajnë një pjesëmarrje prej rreth 19% të BPV-së gjatë periudhës 2018-2020, ndërkaq, shpenzimet kapitale do të përbëjnë afro 13.5% të BPV-së deri në vitin 2020.