/2L ONLINE/ – Shpesh herë, qytetarët gjilanas janë ankuar për rrezikun që e ndjenjë nga qentë endacak, e jo rrallë herë rreziku nga ta është pasqyruar edhe në media. Edhe sot problemi i qenve endacakë në Gjilan ende është prezentë. Këta qen që po i shihni në këto fotografi janë vetëm disa prej atyre që sot kanë gjetur kohë e po “mrizojnë “ në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit. Veçmas ata janë më në numër, në mëngjesin e hershëm, me çka paraqesin rrezik edhe për personelin mjekësor që mbaron apo fillon turnin, por edhe për pacientë e kalimtarë të rastit.
Komuna e Gjilanit, dikur i vriste qentë endacak. Për të ruajtur sigurinë e qytetarëve, në mungesë të një strehimoreje, qentë janë vrarë përmes shoqatave të ndryshme të gjuetarëve. Më pas, ligji ua “lidhi duart”, për veprime të tilla. Kjo bëri që për një kohë, pastaj Komuna ta realizojë një projekt për trajtimin human të tyre, në bashkëpunim me shoqatat përkatëse, duke i larguar nga rruga dhe duke i strehuar në strehimore për qen.
Aty bëhej mirëmbajtja, ushqimi, mjekimi, rehabilitimi, sterilizimi, pastrimi, kastrimi, etj. Por, shumë shkurt, ngase komunës sërish “iu lidhen duart”, për veprim të mëtutjeshëm në këtë mënyrë, kësaj here nga mungesa e mjeteve financiare. për të vazhduar me projektin e tillë. Siç vlerësohej asokohe nga ekspertët, shpenzimet e një qeni të rritur për një muaj janë rreth 40 euro ndërsa për të vegjlit e tyre 20 euro.
Sido që të jetë, të rrezikuar nga qentë endacakë vazhdojnë të jenë shumë qytetarë të Gjilanit, dhe pritet që institucionet përkatëse të gjejnë një zgjidhje, mos të bëhen temë sa herë që detyrohen të reagojnë pas ngritjes së shqetësimeve nga ana e qytetarëve për sigurinë e tyre.
Përndryshe, qentë endacak kanë ditur t’i bëjnë edhe reklamë vetes, për të treguar se cilit lokaliteti i takojnë, pasi ata shpesh reklamohen edhe midis qytetit dhe pran objekteve publike, si kohë më parë kur janë kapur në fokus të fotoaparatit, duke qëndruar lirshëm, parë para objektit ku ndodhet selia e Kryetarit të Komunës dhe e disa drejtorive komunale, siç shihet në foton e mëposhtme. /2L ONLINE/