Nevzad Isufi – shef i Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosjes në Kuvendin komunal të Gjilanit.
/2L ONLINE/ – Ndonëse që nga seanca e kaluar është ditur që çështja e Eko-higjienës SHPK, do të jetë temë e trajtimit në një seancë të veçantë, sikur duket gjërat nuk kanë lëvizur ose ato lëvizje mbeten të njohura vetëm dikë e jo edhe për opinionin dhe ne si anëtarë të Kuvendit. Kur po them kështu, po bazohem në arsyen e shlyerjes së kësaj pike të rendit të ditës (e cila të gjithëve na dukej se kërkonte qasje të menjëhershme e jo shtyrje, edhe në bazë të reagimit të punëtorëve të kësaj organizate) Por, arsyetimi ishte se kishim kërkesë edhe nga pala tjetër e marrëveshjes, pra, pala austriake, që të sillte edhe ajo versionin e saj lidhur me marrëveshjen e Partneritetit Publiko Privat (PPP).
Ne si anëtarë të Kuvendit në materialin për seancën e sotme nuk patëm asnjë material për të parë e shqyrtuar, këtë mendim, qëndrim a raport të kësaj pale, prandaj deshëm a po jo duhet të mjaftohemi me atë që na është ofruar edhe në seancën e kaluar, nga Komisioni i aksionarëve të Eko-higjienës për vitin 2015 dhe 6 mujorin e vitit 2016.
Për këtë arsye mendoj që në këtë seancë përqendrimi ynë duhet të jetë, në kushtet e marrëveshjes e jo në shifrat aktuale që ofrohen, pra, sa janë përmbushur ato kushte, pse nuk janë përmbushur, sa dhe si kanë i kanë përmbushur, si ka qenë mbikëqyrja, a janë respektuar kushtet dhe afatet e realizimit të kësaj marrëveshjeje dhe si do të veprohet më tutje.
Kjo organizatë ka hyrë në vitin e katër të ekzistimit dhe veprimit të saj, dhe nga ajo që kemi si raport duket se, që në fillimet e saj ka pasur shmangie nga përmbushja e obligimeve të palëve të marrëveshjes, por çuditërisht nuk është vepruar me kohë për arsye të panjohura për mua, por po besoj edhe për një pjesë të madhe nga Ju, edhe pse ka këtu plotë anëtarë të Kuvendit e të Ekzekutivit të të dy mandateve të fundit qeverisëse, të cilët bartin pjesë të përgjegjësisë, për mosrealizimin dhe mosfunksionimin e kësaj marrëveshjeje, realizimi i së cilës ka qenë dhe është mjaftë i rëndësishëm për ofrim të shërbimeve për qytetarët, për të cilat ata kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë.
Pra, kemi të bëjmë me një organizatë regjionale, sepse vepron në katër komuna, por që bazën e ka në komunën tonë në Gjilan. Shtrohet pyetja pse kanë munguar reagimet edhe nga komunat tjera, apo ka pasur reagime, por to për ne nuk kanë qenë të njohura?! Pse jemi kaq të pandjeshëm ndaj asaj që është e përbashkët dhe me interes të përgjithshëm, kur vërejmë, po flas gjithmonë bazuar në raportin e aksionarëve, se partnerët e marrëveshjes nuk kanë përmbushur kushtet e nënshkruara vullnetshëm, por secila përpiqet t’ia hedh fajin pjesës tjetër, ose përpiqet të anashkaloj obligimet e veta e kërkon nga pala tjetër t’i përmbush ato.
Bazuar në raportin e Komisionit të aksionarëve, mos përmbushja nga partneri privat e pikave nga a deri në g, të këtij raporti, janë çështje që do ta bënin që kjo marrëveshje të cilësohet e pavlefshme dhe e dështuar, për shkak se nuk ka përmbushur pikat kyçe në të cilat është mbështetur.
Ajo gjithashtu nuk ka përfillur as rekomandimet e auditorit të jashtëm, ka vendosur krye ne vete për caktimin, përkatësisht rritjen e çmimit të shërbimeve, ndonëse është dashur të kemi zbritje dhe shërbime më cilësore.
Nuk besoj se për këto nuk kanë pasur njohuri përgjegjësit e ekzekutivit apo edhe të Kuvendit, sepse nëse jo nga të tjerët, atëherë nga njerëzit e tyre të punësuar në këtë organizatë kanë mund të informohen.
-Pra, nga ajo që u tha si zgjidhje do të ishte, anulimi i marrëveshjes për shkak të mos përmbushjes së kushteve,
– lënia e një afati ultimativ për plotësim të kushteve, kurse mos përmbushja edhe e këtij afati do të qonte në anulimin e tërësishëm të kësaj marrëveshjeje,
-Ose procedimi dhe padia në Gjykatë dhe varësisht nga vendimi i saj të veprohet./2L ONLINE/
/Vërejtje; Ky ishte qëndrimi ynë, duke u bazuar vetëm në Raportin e Aksionarëve, pa u bazuar edhe në raportin e partnerit Privat, investuesit nga Austria/