Sot, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, bashkë me të ngarkuarin me punë në Ambasadën Japoneze në Kosovë, z. Keisuke Yamanaka, ish-presidenten znj. Atifete Jahjaga, drejtoreshën e Fondacionit JAHJAGA, Brikena Avdyli, dhe menaxherin e kompanisë “MEDICA”, Ardian Ukelli, kanë përuruar pajisjen e rentgenit dhe mamografit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Kamenicës.
Rentgeni i dhuruar nga Kompania “MEDICA” për komunën e Kamenicës, nga sot e tutje do të jetë në shërbim të qytetarëve tanë. Kjo pajisje e teknologjisë së fundit, do të ndihmojë në zbulimin e sëmundjeve dhe do ta shpejtojë shërimin e tyre.
Pajisja e mamografit, e cila për herë të parë vihet në funksion të qytetarëve të Kamenicës sot, e dhuruar nga Ambasada Japoneze në Kosovë dhe Fondacioni JAHJAGA, do të mundësojë zbulimin dhe dedektimin e hershëm të kancerit të gjirit, gjithashtu do të shpejtojë trajtimin si dhe shërimin e plotë të tij.
Rahimaj tha se shërbimet që ofrojnë këto pajisje mjekësore, janë të rëndësisë së veçantë, dhe u jemi mirënjohës donatorëve, që na kanë lejuar, që bashkë me ta, të bëjmë diqka të mirë për komunitetin që jeton këtu.
“Këto pajisje, nga sot e tutje, nuk do të jenë në funksion vetëm për qytetarët e Kamenicës, por do të jenë në shërbim edhe për qytetarët e komunave të tjera, si ajo e Gjilanit, Ranillugut, e Novobërdës”-tha Rahimaj.
Rahimaj tha gjithashtu se ne do të vazhdojmë të punojmë, që të rrisim cilësinë e shërbimeve mjekësore dhe në përmirësimin e përgjithshëm të shëndetit të qytetarëve. /2LONLINE/