Në hapjen zyrtare morën pjesë kryetari në detyrë, Qëndron Kastrati, themeluesi i BONEVET Vllaznim Xhiha, drejtoresha e qendrës BONEVET në Kamenicë, Lejla Leci, përfaqësues të GIZ-it, si dhe zyrtarë të tjerë komunal.
Kryetari Kastrati duke uruar për hapjen e BONEVET, ka thënë se është i lumtur që ka përkrahur një qendër e cila ofron aktivitete të shumta për fëmijët.
“Jam i lumtur që kemi përkrahur këtë projekt që edhe një komunitet i vogël si Kamenica ta ketë një qendër të tillë. Fëmijët nuk do të ndihen të anashkaluar në raport me fëmijët që jetojnë në qytete më të mëdha, pasi që tani aktivitete të ndryshme do të kenë në këtë qendër”, u shpreh ai.
Edhe themeluesi i BONEVET, Vllaznim Xhiha tha se uron që kjo qendër të ketë suksese, dhe fëmijët të përfitojnë nga aktivitetet.
Ndërsa drejtoresha e qendrës BONEVET në Kamenicë Lejla Leci, tha se uron që çdo qytet ta ketë fatin për një hapësirë të tillë.
“Urime komunitetit të Kamenicës. Urojmë që çdo qytet të ketë fatin për një hapësirë të tillë”, theksoi ajo.
Ndryshe organizata GIZ ka mbështetur financiarisht hapjen e një qendre të tillë në Kamenicë.
Kujtojmë që gjatë fazës pilotuese BONEVET ka organizuar një kamp me 19 nxënës dhe dy klasa me 16 nxënës. Kjo ka ndihmuar që BONEVET Kamenica të vazhdojë aktivitetin e vet të rregullt me 8 klasa në ciklin nëntor-dhjetor, pjesë e të cilave janë 65 nxënës krijues e entuziast. /2LONLINE/