Që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, në Gjilan kanë vdekur 68 qytetarë të prekur nga COVID-19.
Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë masat anticovid, ndërsa duke iu referuar katër rasteve të fundit që kanë përfunduar me vdekje, i pari i komunës ka ngushëlluar familjarët e tyre.
“Fatkeqësisht katër bashkëqytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19. Ngushëllimet me të sinqerta familjeve të tyre. Gjatë ditës u konfirmuan edhe 29 raste të reja pozitive, por lajmi i mirë është që nuk kemi mostra në pritje për rezultat”, ka thënë Haziri, transmeton 2LONLINE.com.
Ai ka bërë me dije se Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit është i ngarkuar me pacientë #COVID pozitivë, derisa tri ekipet e QKMF-së, brenda 24 orëve të fundit, i kanë realizuar 72 vizita shëndetësore në shtëpitë e të prekurve.
“Apeloj që t’i respektoni masat kundër përhapjes së virusit që është bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe pastrimi i duarve”, ka thënë Haziri.
Gjendja e përgjithshme e përballjes me COVID-19 është si vijon: numri i testimeve është 6236, ku prej tyre kanë rezultuar pozitivë 2350 persona, aktualisht kemi 580 raste aktive, 68 të vdekur, të tjerët janë shëruar. Për momentin 76 pacientë janë në hospitalizim. /2LONLINE.com