Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22, vaksinimi i mësimdhënësve, tekstet shkollore dhe afati i dytë i Provimit të Maturës, kanë qenë temat për të cilat ka folur sot zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, në konferencën e rregullt për media.
Zv/ministri Pupovci ka theksuar se, Ministria e Arsimit tashmë e ka finalizuar Udhëzuesin e rishikuar për mësim në kohë të pandemisë, në të cilin përveç skenarëve ekzistues është shtuar edhe skenari me prezencë fizike në shkolla.
Pupovci ka thënë se, javën e ardhshme do të mbahet një takim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, përfaqësues të SBAShK-ut e Këshillit të Prindërve, me qëllim të koordinimit të plotë të punëve për të filluar mësimin më 13 shtator, sipas vendimit të Qeverisë.
Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, të cilëve edhe njëherë u është bërë thirrje për tu imunizuar, zv/ministri ka thënë se, shkalla e vaksinimit është rreth 77% ose 5% më e lartë se javën e kaluar, ndërkaq, sipas raportit të fundit të IKShP-së, numri i nxënësve të vaksinuar është 2,369, kurse i studentëve 54.438.
Ndër të tjera, Pupovci ka theksuar se shpërndarja e teksteve shkollore ka filluar dhe do të përfundojë me kohë.
Duke folur për mbarëvajtjen e afatit të dytë të Provimit të maturës, Pupovci tha se, procesi ka shkuar pa vërejtje të theksuara dhe rezultatet pritet të shpallen me 6 shtator. /2LONLINE.com/