Kuvendarët e Gjilanit sot janë pritur në hyrje të sallës ku mbahen seancat e Kuvendit Komunal, edhe nga një grup të punëtorëve të Ecohigjienës që janë larguar nga puna, për t’ia përkujtuar kuvendarëve se çështja e tyre përkundër premtimeve, nuk ka gjetur akoma zgjidhje dhe se ata tani e katër muaj janë të larguar pa të drejtë nga puna dhe se për rrjedhojë janë edhe pa paga dhe me gjendje të rënduar.
Njëri nga ata që sot kishte dalë para objektit ku ndodhet salla e Kuvendit, e ku kuvendarët kanë pasur me orar seancën e radhës, ishte edhe Naim Sherifi, i cili i ka thënë Portalit 2lONLINE , se sot janë këtu për të përkujtuar edhe njëherë këta kuvendarë se çështja e tyre nuk është zgjidhur dhe se padrejtësia ndaj tyre po vazhdon.
Ai tha se ata duan të kthehen në vendet e tyre të punës dhe për në këtë drejtim kapin për fjale vet kreun e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin-Luta, i cili po ashtu ishte ai që kishte deklaruar publikisht se nuk i pranon vendimet e njëanshme të partnerit privat në këtë kompani, e cila siç dihet operon në kuadër të partneritetit publiko privat, mes komunës së Gjilanit, si pjesë publike dhe partnerit austriak, pjesa private.
Përndryshe, janë shtatëmbëdhjetë punëtorë të larguar nga puna që kërkojnë të drejtën e tyre, të kthehen në vendet e tyre të punës dhe në këtë drejtim ata thanë se kanë pasur përkrahjen e institucioneve në veçanti të kryetarit të komunës nga i cili presin tani ta mbajë fjalën dhe të ndërhyjë që ata të kthehen në vendet e tyre të punës.
“Kërkojmë nga kryetari Haziri ta mbajë fjalë ne dhënë se nuk do të lejojë me ua heq kovën e bërllokut nga dora…” thonë punëtorët e grumbulluar, që kërkuan njëzëri që kuvendarët edhe në këtë seancë ta rishikojnë këtë çështje dhe të mos e zvarrisin këtë çështje pasi përveç atyre po pëson edheve kompania ku Komuna ka hisen e saj dhe e ka për obligim të reagojë.