(2L ONLINE) – Punëtorët e Kompanisë Rajonale për ujë KRU “Hidrimorava”, sërish kanë hyrë në grevë. Një gjë të tillë e kishin bërë edhe në qershor të këtij viti, por atëherë ishte arritur një marrëveshje mes Këshillit Grevistë dhe Bordit të Drejtorëve të Kompanisë në fjalë, por tani pikërisht mos zbatimi i asaj marrëveshje, nga ana e menaxhmentit, ka bërë që Sindikata të organizojë sërish grevën, e cila, siç u tha, po nuk u përmbushën kërkesat, mund të përshkallëzohet .
Kadri Reçani, kryetar i Shoqatës Sindikale të KRU Hidromorava, ka bërë me dije për Portalin 2L ONLINE, se sot janë hyrë në grevë punëtorët e Hidromoravës edhe atë të tri njësive, në Gjilan, Viti e Kamenicë. Ai ka thënë se sot greva ka qenë një orshe, nesër do të vazhdojë me dy orë (08:00-10:00) ndërsa nëse nuk përmbushet kërkesa e grevistëve që marrëveshja e 27 qershorit, atëherë greva do të radikalizohet.
“Shkaku i hyrjes në grevë është mospërmbushja e marrëveshjes së 27 qershorit. Ne nuk i dimë arsyet pse menaxhmenti i Kompanisë nuk po i rri mbrapa marrëveshjes në fjalë, kur ne nga ana jonë e kemi përmbushur obligimin tonë që ka dal nga ajo marrëveshje”, ka thënë Reçani.
Përndryshe edhe në qershor të këtij viti punëtorët e Hidromoravës kishin hyrë në grevë duke kërkuar rritje pagash, me këtë rast mes Këshillit grevistë dhe Bordit të drejtorëve të KRU Hidromorava ishte arrit marrëveshja që kishte ndërprerë grevën. Por, tani, sipas grevistëve, nuk po përmbushet kjo marrëveshje.
Përndryshe, sipas marrëveshjes në fjalë, palët kishin arrit marrëveshje që të bëhet rritje lineare e pagave për 50 euro, duke filluar prej qershorit, për secilin punëtorë në të gjitha njësitë .
Po ashtu, si pikë e marrëveshjes ka qenë edhe performanca e kompanisë në tre muajt e ardhshëm, qershor, korrik e gusht, me inkasim prej mbi 70 për qind, dhe nëse performanca është e mirë pra arrihet synimi, atëherë mund të shkohet në rritje edhe prej 50 eurosh, nëse performanca e inkasimit është negative atëherë pagat kthehen në nivelin e mëparshëm.
E, sipas Kadri Reçanit, kryetar i Shoqatës Sindikale të KRU Hidromorava, performanca ka qenë 73 për qind, që do të thotë se është përmbushur kërkesa, dhe tani menaxhmenti do të duhej ta përmbush pjesën e saj dhe të bëjë ngritjen e pagave, gjë që nuk po e bënë dhe kjo edhe e ka determinua grevën.
Reçani tha se janë të vendosur për të realizuar të drejtën e tyre dhe nuk do të heqin dorë nga greva, bile nëse nuk përmbushet marrëveshje, greva do të përshkallëzohet më tutje. Ai tha se dëshiron që edhe konsumatorët të jenë në dijeni dhe të kuptojnë se greva është e arsyeshme, përkatësisht e domosdoshme dhe se ata janë në gatishmëri të përhershme për t’i kryer punët e tyre në shërbim të konsumatorëve, por vetëm kërkojnë nga menaxhmenti i Kompanisë, të drejtën e tyre.
Ai tha se edhe të mërkurën nga ora 08:00 do të filloi greva, që do të zgjas dy orë, ndërsa për hapat tjerë, nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre, do të njoftohet publiku më vonë. /2L ONLINE/