Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish nuk mund u morën vesh për rendin e ditës të mbledhjes. Për pasojë, kur në sallë kishin mbetur vetëm 50 deputetë, drejtuesi i seancës Xhavit Haliti e deklaroi mbledhjen të mbyllur, ndërsa për vazhdimin e saj do të vendosë Kryesia e Kuvendit.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, që kishte thirrur këtë mbledhje në të cilën, në bazë të vendimit të Kryesisë së Kuvendit, duhej të formohej Komisioni Hetimor për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, pas debateve të papajtueshme rreth çështjes midis pozitës e opozitës dha një pushim gjysmë orësh, me shpresë se do të mund të gjendej ndonjë kompromis, kur rinisi u pa se nuk ishte gjetur zgjidhja. Adem Grabovci i PDK-së ishte i vendosur se duhej të procedohej miratimi i Raportit të privatizimit, e pastaj të merrej vendimi për Komisionin Hetimor, ndërkaq opozita kërkonte të formohej Komisioni, një kërkesë e natyrshme e dalë nga debati pikërisht për Raportin.
Arsim Bajrami, duke e ndërlidhur situatën e krijuar me fushatën zgjedhor dhe duke e vendosur çështjen me politikën që ndjekin partitë, u bëri thirrje forcave politike të përfaqësuara në Kuvend të arrijnë një marrëveshje politike para se të caktohet mbledhja tjetër e Kuvendit, ku do të diskutohej për privatizimin e PTK-së.
Nga debati doli qartë se nëse vazhdon kështu me bojkotimin e seancave herë të pozitës, herë të opozitës, puna e Kuvendit do të jetë e bllokuar, për pasojë edhe ballafaqimi i vendit me krizë të rëndë politike.
Të përkujtojmë se opozita kishte shfaqur dyshime për keqpërdorime të procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, e cila iu shit konsorciumit gjerman AXOS capital për 227 milionë euro. Iniciativa për formimin e Komisionit Hetimor erdhi nga Lidhja Demokratike Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kuvendi duhej të formonte Komisionin 11 anëtarësh, në të cilin do të ishin të përfshirë anëtarë nga të gjitha grupet parlamentare./koha.net/