/Reagim me shkas në përvjetorin e 27-të të degës së LDK-së në Klinë/
Të gjitë ata që në kujtesën historike e mbajnë të freskët themelimin e degës së LDK-së në Klinë, nuk mund të shkojnë tutje pa e kujtuar vendin ku u mbajt kuvendi themeltar i degës. Ishte “Shtëpia e Kuvendeve të Rezistencës” në fshatin Bokshiq.
Ishte lagja Zeqa, respektivisht familjet; Zeqa, Musa, Uka dhe familjet e gjithë fshatit që i strehuan të gjithë delegatët e këtij kuvendi,…e rrezikuan vetën dhe familjet e tyre për të bërë të mundur mbajtjen e këtij kuvendi themeltar. Në oborret e tyre i vendosen të gjitha makinat, delegatëve pos strehimit të sigurtë, ju kthyen edhe drekë secili sipas mundësive, duke mos kursyer asgje nga te mirat materiale që kishin në dispozicion.
Me habit fakti, si munden ta harrojnë këtë histori jo shumë të largët gjenerata e asaj kohe, të pakët që kanë mbetur në kryesinë e kësaj dege,…për mbajtjen e një përvjetori simbolik, apo të paktën të vizitojnë bashkarisht vendin historik të themelimit të degës, pra në ditën e përvjeorit të themelimit të degës të shkojnë në Bokshiq,…të ulën këmbëkryq në odën e madhe ku u ulën burrat më të mëdhenjë të asaj kohe, jo vetëm nga Klina, por nga Prishtina e gjithë Kosova.
Se a është e qëllimshme apo e rastësishme harresa e bastionit të LDK-së nga ana drejtuesve aktual të Degës së LDK-së, e Bokshiqit historik, e vendit ku u vunë themelet e subjektit të parë politik shqiptar në këtë komunë, vend të cilin në fillim vitet e ’90-ta e patën vizituar pothuajse të gjithë themeluesit e LDK-së qendrore nga Prishtina,…për Bokshiqin atë kohë ishte folur edhe në departamentin e shtetit amerikan pas sulmit të forcave serbe mbi këtë fshat në 23 shkurtin e vitit 1993.
E keqja e madhe është, se me “shlyerjen ” nga kujtesa të kësaj pjese të lavdishme të historisë së LDK-së, po mohohet një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së rezistencës aktive paqësore e luftës së popullit tonë për çlirim nga pushtuesit serb.
Më mirë se askush tjetër e kujton Bokshiqin, bastionin e LDK-së së viteve të ’90-ta, themeluesi dhe ish kryetari i degës së LDK-së në Klinë, mëpastaj edhe nënkryetari i LDK-së qendrore (Ibrahim Rugovës), zoti Anton Kolaj.
“Na thirren një herë në mbledhje në Bokshiq, dhe meqë nuk doja, si klinas, të vij vetem, pyeta kryesinë se kush mundet me ardhë në Bokshiq? Profesor Agani që rrallë shkonte në teren, tha a në Bokshiq është vendi im. Le të vij kush të doj , por unë jam i pari. Rrugës për në Bokshiq përpos tjerash, Fehmi Agani më tha edhe këtë: “Anton këta të këtyre fshatrave jane të mrekullueshëm” I pelqente shumë kultura organizative dhe mikëpritja. (Anton Kolaj).
Fshati Bokshiq i komunës së Klinës, në vitet e ’90-ta, ishte bërë halë në sy për pushtuesit serb. Pasi ky fshat ishte shëndrruar në bastion të LDK-së, bartës i të gjitha aktiviteve të rezistencës dhe qendresës paqësore për të gjithë klinasit. Në ketë vend u mbajtën të gjitha organizimet politike e atdhetare të asaj kohe të nivelit komunal dhe më gjerë.
Një thënje e urtë italiane e thotë; “Të gjitha rrugët të dërgojnë për në Romë”, andaj është e pamunduar të përshkruash rrugëtimin e degës së LDK-së së Klinës pa kaluar nëpër Bokshiq.
Më mburrje dhe krenari atë kohë qytetarët e Klinës, Bokshiqin e quanin “Kaqaniku i vogël”, ndërsa shtëpinë ku mbaheshin kuvendet e quanin “Shtëpia e Kuvendeve te Rezistencës”.
Në ketë shtëpi u mbajtën kuvendet themeluese të degëve; Lidhjes Demokratike të Kosovës,dega në Klinë (9 qershor 1990), Kuvendi Komunal i Klinës i shkëputur nga Serbia (korrik 1990), Sindikata e pavarur e Policisë (shtator 1990), Forumi i Rinisë i LDK-së (1990, 20 shtator 1991), Forumi i Gruas i LDK-së (1990), Forumi i Intelektualëve Shqiptar “Luigj Gurakuqi” (nëntor 1990). Nga vitet 1990-1998 janë mbajtur kuvende, tribuna, promovime, përkujtime dhe tubime tjera të shumta politike e apolitike të komunës së Klinës të asaj kohe.
Për kontributin e dhënë në ato vite, në vitin 2005 kuvendi komunal i Klinës nderon më mirënjohje aktivin e LDK-së, dhe disa nga martirët, veprimtarët dhe aktivistët e këtij fshati, siq kishte ndodhur me rastin e përurimit të Shtëpisë së Kuvendeve të Rezistecës, ku është mbajtur Kuvendi i I-rë i degës së LDK-së në Klinë me ç’rast kryesia e degës së LDK-së ndau MIRËNJOHJE për Ali R. Zeqa (Martir i kombit, vdekur me 5 prill 1993 si pasojë e torturave serbe) për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe forcimin e LDK-së, forcë relevante politike në rrugën për realizimin e Pavarësisë së Kosovës (Klinë, 13.11.2005, nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i degës së LDK-së në Klinë, zoti Prenkë Gjetaj).
Shlyerja e kujtesës përveqse një sëmundje është veti i njerëzve të lig dhe naiv, shkurtpamës që nuk shofin përtej hundës së tyre, ndërsa kujtesa është shpërblimi më i mirë për të kaluarën e lavdishme dhe garancë e fuqishme për ardhmerinë e brezave. /2LONLINE/