Kur rrethet e ngushta planifikojnë se çfarë do të bëjnë dhe nuk i japin llogari askujt, zë të ecë guximshëm korrupsioni. Vetëm njerëzit e lirë dhe atdhetarë të mirëfilltë mund t`i mbrojnë qëndrimet e veta dhe nderin e fortë për një përfundim të përbashkët, përkrahin interesat e kombit dhe vendit para interesave personale
Shkruan: Shemsi Syla
Shqiptarët e Kosovës kanë hyrë në zgjedhje dhe me decenie janë nënshtruar e mashtruar nga ata që synim e kanë sundimin përmes të cilit mashtrojnë, abuzojnë, vjedhin, shantazhojnë për interesa të tyre e jo për ndërtimin e shtetit. Pra, shfrytëzuesit e deritashëm të pushtetit, që ju vetë qorrazi i keni votuar ose ua kanë vjedhur votat, pasi vodhën e abuzuan me shtetin, tani, kanë kaluar në një shkallë tjetër edhe më të rrezikshme; po zbatojnë urdhrat e pushtuesve të huaj që kanë synim shitjen, copëtimin dhe shpërbërjen definitive të shtetit të Kosovës dhe të kombit shqiptar në trojet e Dardanisë antike.
Armiqtë e shtetit të Kosovës dhe trojeve tona, tani me shantazh, korrupsion dhe kushtëzime e kërcënime, përmes gjykatave, i kanë bindur udhëheqësit politikë që ta braktisin “shqiptarizmin” e tyre dhe i kanë konvertuar në kultin e përgjithshëm të robotit.
Këta udhëheqës që u pasuruan me metoda mafioze, kanë marrë rrugën e gabuar të tradhtisë. Koha për të mbrojtur vendin dhe për të ndërtuar shtetin e Kosovës është gati të përfundojë. Territoret shqiptare dhe kombi në përgjithësi po kalon një nga periudhat më të rrezikshme në historinë e tij, në të gjitha frontet. Në vend të fuqizimit e faktorizimit si komb, kemi hyrë në një proces të shkatërrimit të vetvetes, prandaj, ky proces duhet të ndalet me revoltë e protesta derisa të ndëshkohen me votë këta udhëheqës matrapaz.
Para së gjithash, ne, të gjithë, duhet të angazhohemi për të marrë pjesë në protestë dhe të mos presim se “do të ketë njerëz të tjerë të mjaftueshëm që do ta ndalin këtë rrjedh të shkatërrimit”. Ne, si qytetarë e shqiptarë, duhet ta përcjellim mesazhin në të gjitha zonat urbane e rurale në mënyrë që ata, nëse nuk do të jenë me ne, në çdo rast, të mos jenë kundër nesh, duke dhënë fakte se ai politik-bërës që ka qenë i dehur me pushtet dhe ka përfituar prej tij, nuk do ta japë kurrë vullnetarisht pushtetin, prandaj, duhet të veprojmë vetë në mënyrë që t`i shkarkojmë dhe të mos presim si zakonisht, ndihmën e të huajve, që në fakt janë fajtorët kryesorë të copëtimit të trojeve tona, duke filluar nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913).
Me protestë apo me vota?
Në një vend normal, askush nuk është i plotfuqishëm sepse kushtetuta parashikon ndarjen, balancimin dhe kontrollin e pushteteve dhe para ligjit janë të gjithë të barabartë. Zyrtari dhe politikani abuzues i druhen prokurorit dhe gjyqtarit, politikani i druhet votuesit se mos e ndëshkon me votë për mos mbajtjen e premtimeve, politikani i druhet kritikës dhe kontrollit që ushtron media. Në Kosovë, po ndodh e kundërta. Individi po bëhet më i fuqishëm se institucionet e shtetit, zyrtari e politikani abuzon, vjedh e korrupton sepse prokurori është i pafuqishëm ndaj tij, sepse partia të cilës ai i takon është bërë shtet.
Në një vend normal- ndërrimi i elitave politike bëhet kryesisht përmes kutisë së votimit: humbësi i jep dorën fituesit të garës, sepse, në një demokraci normale, jeta e institucioneve të pavarura është më e gjatë se jeta e drejtuesve të këtyre institucioneve dhe partitë politike nuk janë institucione që kanë “pushtetin” më të madh.
Kjo mosndëshkueshmëri e keqpërdoruesve të pushtetit i ka dehur liderët shtetërorë deri në atë shkallë sa të marrin guximin për ta përcaktuar fatin e kombit dhe shtetit pa e pyetur askënd dhe fshehtas vizatojnë vija të kufirit, shkëmbim të territoreve duke e konsideruar më të rrezikshëm për vetën e vet shantazhin e kërcënimin e shërbimeve të huaja, se sa reagimin e popullit që përfaqëson.
Prandaj, protesta është jetike dhe mesazhi më i domosdoshëm në këto momente kritike. Protesta gjithë popullore fillimisht mund të mos ketë efektin e duhur te lidershipi politik, sepse ai nuk i frikësohet protestës për faktin se në pushtet gjithnjë ka ardhur duke e blerë dhe vjedhur votën. Por, një protestë masive do të jetë mesazhi që e kuptojnë më së miri qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Një protestë masive, me automatizëm do ta ndryshonte kursin ndërkombëtar sa i takon çështjes së Kosovës. E ky, është edhe synimi i protestës së thirrur nga Lëvizje Vetëvendosje! T’i tregojmë fillimisht faktorit ndërkombëtar se nuk lejojmë të bëhen pazare me territoret e shtetin e Kosovës.
Ndërsa protestat masive e të pandalshme, më në fund do të sjellin frikë edhe tek lidershipi politik dhe do të hapin rrugë për zgjedhje të reja, sepse në demokraci, pushteti rrëzohet edhe me protesta, por merret vetëm me votë e cila do të jetë ndëshkim për ata që shtetin dhe territorin e Kosovës po e përdorin për pazare për ta shpëtuar lëkurën e tyre.
Në Ballkan janë formuar katër shtete në tokat shqiptare. Kjo nuk i ka ndodhur asnjë populli në botë dhe ende nga shqiptarët po kërkohet që për hir të integrimeve e stabilitetit rajonal të japim edhe pak tokë nga kjo që na ka mbetur. Këtë nuk duhet ta lejojmë.