/2L ONLINE/ – Nën thirrjet “hajna – hajna”, dhe me një minutë heshtje në nderim të të gjithë atyre që vdekja natyrore i ndau nga jeta pa mundur ta realizojnë të drejtën e tyre që u ka takuar pas privatizimit të ndërmarrjes ku kanë punuar, punëtorët e ish Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH), të Rajonit të Gjilanit kanë protestuar të premten kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për të kërkuar të drejtat e tyre të shpalosura në nëntë kërkesa.
Protesta është organizuar nga BSPK-ja Zyra Regjionale në Gjilan dhe në të kanë marrë pjesë punëtorët të ish NSH-ve të Gjilanit Kamenicës e Vitisë. Protestuesit thanë se nuk kërkojnë as më tepër e nuk duan as më pak sesa ajo që u takon, ndërsa shtuan se nëse vazhdojnë të injorohen kërkesat e tyre atëherë ata do të vazhdojnë me protesta, por ato do të jenë me mbështetje edhe nga gjithë punëtorët e ish Ndërmarrjeve Shoqërore dhe një shprehje e tillë e pakënaqësisë do të bëhet para qeverisë së vendit dhe Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP).
Aziz Azizi, koordinator i Zyrës Regjionale ka thënë para protestuesve se sot po protestohet kundër padrejtësive që po u bëhet punëtorëve të ish NSH-ve të regjionit të Anamoravës nga ish AKM-ja tani AKP-ja dhe Komisioni i Likuidimit. Pas privatizimit të NSH-ve kemi vendosur që sot përmes kësaj proteste të sensibilizojmë opinioni ne gjerë por edh strukturat udhëheqëse komunale dhe shtetërore lidhur me kërkesat tona të cilat tani e 13 vite pas procesit të privatizimit nuk po mundemi t’i realizojmë”, tha Azizi, për t’i numëruar nëntë kërkesat e tyre.
Ja nëntë kërkesat e protestuesve:
1. Pagesa e pagave të papaguara për vendet e humbura të punës si rezultat i shpalljes sonë si tepricë teknologjike dhe atë nga 1 deri në 7 paga, varësisht nga përvoja punuese sipas ligjit të punës.
2. Kërkojmë nga AKP dhe Komisioni i Likuidimit zbatimin urgjent të vendimeve të plotfuqishme gjyqësore lidhur me pagesën e pagave të realizuara e të papaguara nga ish ndërmarrjet ku kemi punuar, të cilat tani e 12 vite nuk po ekzekutohen.
3. Kërkojmë përshpejtimin e dhënies së 20 për qindëshit punëtorëve të cilëve kjo e drejtë u takon e nuk iu është dhënë ende.
4. Kërkojmë nga Parlamenti i Republikës ës Kosovës formimin e Fondit Social nga Fondi i Likuidimit, i cili do të mbetet nga likuidimi i Ndërmarrjeve pas pagesës së obligimeve të punëtorëve të Fondit 80 për qind.
5. Kërkojmë nga Parlamenti nxjerrjen e një ligji me të cilin do të pensionohen punëtorët e mbetur pa punë në procesin e privatizimit të cilët janë mbi moshën 60 vjeçare.
6. Kërkojmë nga Parlamenti formimin e një Komisioni Pensional Hetimor i cili do t’i rishikojë të gjitha kontratat e shitjes e jo të mbyllen Fabrikat dhe aty të ndërtohen supermarkete, depo e banesa për shitje me çka individët janë pasuruar pa bazë kur dihet se me çfarë çmimesh janë privatizuar ato.
7. Kërkojmë nga Qeveria dhe Parlamenti të obligojë Bordin e AKP-së që sa m shpejtë të bëjë likuidimin e Ndërmarrjeve dhe të bëjë shpërndarje ne përkohshme të mjeteve nga fondet e likuidimit duke i përmbushur kërkesat ligjore të punëtorëve , kreditorëve, e gjithë kjo në harmoni me nenin 40 dhe 41 të Ligjit për AKP e jo të likuidojë ndërmarrjet me pakë punëtor e pastaj të dalë me komunikate se “ne po likuidojmë ndërmarrje dhe po punojmë”.
8. Kërkojmë nga Parlamenti si themelues dhe mbikëqyrës i punës së AKP-së që t’i shqyrtojë pagat e majme të të punësuarve në këtë Agjenci sepse pikërisht këto paga të majme po e shtyjnë stafin që sa më tepër ta zgjasin procesin e likuidimit dhe të mos punojnë sa dhe siç duhet.
9. Kërkojmë nga Parlamenti që të obligojë Dhomën e Posaçme të gjykatës Supreme të Kosovës që sa më urgjentisht dhe me prioritet të i zgjidh lëndët e punëtorëve e jo të kreditorëve të dyshimtë të cilët me qëllim të pasurimit të pabazë dërgojnë lloj-lloj padie.
Përndryshe, para protestuesve kanë folur edhe përfaqësues sindikal të ish ndërmarrjeve konkrete të cilat folën për gjendjen në ish ndërmarrjet e tyre si Skender Kqiku nga “Integj”, Isuf Rexhepi –Grafikos, Ismet Morina – Çeliku, Kujtim Ahmeti – Kualiteti e të tjerë, të cilët kërkuan nga AKP t’i përmbushë kërkesat e drejta të punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve.
Protesta ka përfunduar e qetë dhe është përmbyllur me porositë “Qeveri – hapi sytë”, “AKP – punoni e mos flini” dhe “Odë e veçantë – gjykoni me nderë e ligj. Përndryshe, e pranishme në protestë ishte edhe Policia e Kosovës e cila u përkujdes për mbarëvajtje të kësaj proteste e cila u mbajt nën rigat e shiut /2L ONLINE/
FOTO 2L ONLINE