Disa organizata studentore, të përkrahur nga shoqëria civile edhe sot vazhdojnë marshin protestues, ku po kërkojnë dorëheqjen e rektorit, Ibrahim Gashi. Marshi i parë do të nis nga ora 12:00, nga Qendra e Studentëve, kurse marshi tjetër nga sheshi ‘Skenderbe’ për t’u takuar para rektoratit të UP-së.
Kërkesë e tyre është dorëheqja e menjëhershme e rektorit Ibrahim Gashi, fillimi i hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitet, përmirësimi i infrastrukturës në Qendrën e Studentëve dhe largimi i ndikimit të pushtetit në Universitet nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues.
Ditë më parë, Këshilli Drejtues i UP-së, përmes një komunikatë për medie, pati njoftuar se ka nisur procedurat për adresimin e përgjegjësisë eventuale, për të gjitha nivelet dhe për të gjitha shkeljet e pretenduara.
Përfaqësues të Institucioneve nga Qeveria e Parlamenti kanë kërkuar që të punohet intensivisht në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve dhe shqetësimeve që janë shfaqur kohët e fundit në opinion, duke kërkuar nga të gjithë akterët që të japin kontributin e tyre në drejtim të përmirësimit të situatës.