(2L ONLINE) – Duke respektuar procedurën për ndryshimin e statutit, që Komuna e Gjilanit i ka hyrë me nismën e kryetarit Lutfi Haziri, të martën është mbajtur edhe debati publik, ku propozimet, sugjerimet dhe vërejtjet i tyre në projektin-propozimin e komisionit statutar i kanë paraqitur qytetarë dhe zyrtarë të ndryshëm komunalë.
Hevzi Matoshi nga Zyra Ligjore ka thënë se ndryshimi dhe plotësimi i statutit është nevojë për t`u harmonizuar me numrin e anëtarëve të Kuvendit, si pasojë e regjistrimit të popullsisë dhe me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe funksionalizimit të punës në administratën komunale.
Ndryshimet dhe plotësimet në statutin e Komunës, janë propozuar nga komisoni statutar, në dispozitat të cilat prekin çështjen e numrit të përbërjes së anëtarëve të Kuvendit, numrin e drejtorive komunale dhe çështje tjera që lidhen me funksionalizimin e organeve komunale, duke e pasur parasysh Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ligje tjera veçanta sektoriale.
Organet komunale obligohen që të informojnë qytetarët me shkrim lidhur me kërkesat e tyre, duke komunikuar drejtpërsëdrejti në gjuhën e tyre dhe duke ju lejuar qasje në dokumente zyrtare, në pajtim me ligjet përkatëse dhe aktet nënligjore.
Një risi është se në mungesë të kryesuesit të Kuvendit të Komunës, mbledhjen e kryeson anëtari më i vjetër i Kuvendit. Po ashtu risi është Themelimi i Komiteti për bashkëpunim Ndërkufitar si dhe Zyrës për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesues e Kuvendit Komunal, kërkoi që në statut të përfshihet edhe themelimi i Zyrës për Barazi Gjinore, Komitetit për Barazi Gjinore si dhe ndarja e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në 3 sektorë, siç është premtuar edhe nga kryetari i Komunës.
Sokol Haziri (DSHP), ka thënë se ndryshimet e propozuara nga komisioni, janë kozmetike dhe jo përmbajtjesore, siç duhet të reflektojnë nga vullneti politik. Haziri ka thënë se varianti i ofruar nuk i reflekton ndryshimet e nevojshme. Ai gjithashtu ka thënë se disa formulime në statut, duhet të jenë më të sakta dhe të mos lënë dilema për interpretime të ndryshme.
Sejdulla Kadriu (Vatra) propozoi që Zyra për të Drejtat e Shqiptarëve në Kosovën Lindore, të quhet Zyrë Ndërlidhëse, kurse Selver Xhelili (DKI) tha se meritat për hapjen e kësaj Zyre u takojnë të gjitha subjekteve politike në Kuvend Komunal dhe nuk mund t`i përvetësojë vetëm përfaqësuesi i Lëvizjes “Vatra”.
Fazli Abdullahu (NJDNJ), ka thënë se në kuadër të kësaj Njësie, sipas Udhëzimit Administrativ, funksionon edhe zyrtarja për Barazi gjinore dhe ajo për të Drejtat e fëmijëve. Barazia gjinore është segment i të drejtave të njeriut, ka thënë ai.
Avdyl Aliu (LDK) tha se në projekt-statut duhet të parashihet edhe adresa e re e selisë së Komunës, meqë së shpejti kalon në objekt tjetër.
Shaban Terziu kërkoi që në statut të parashihet edhe përfaqësimi i shoqërisë civile nëpër komisione komunale.
Bujar Haziri (DKRS) ka propozuar që Kultura, Rinia dhe Sporti të mbeten një Drejtori, sikurse janë tani, duke krijuar kode të veçanta buxhetore për secilin sektor, nëse është e nevojshme, ose të bëhen dy Drejtori, duke themeluar edhe një Drejtori për Turizëm. “Në statutin e Komunës nuk është e thënë që të caktohet numri i drejtorive”, ka thënë Haziri.
Sipas Sadri Arifit, shef i Shërbimit të Kuvendit, themelimi i Drejtorive dhe numri i tyre është e drejtë e pushtetit lokal. Koalicioni e ka të drejtën që të caktojë numrin e Drejtorive që i nevojiten për realizimin programit qeverisës, ka thënë Arifi.
Hevzi Matoshi ka thënë se të gjitha kërkesat e arsyeshme dhe që nuk bien në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, do të merren parasysh nga komisioni. /2L ONLINE/