Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së.
Prokuroria në koordinim me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale.
Reagon Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK)
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka reaguar pas arrestimit të një mjeku të QKUK-së nën dyshimin për marrje të ryshfetit.
Reagimi i plotë:
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin se një mjek është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, marrje e ryshfetit.
Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore.
Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë raste të parregullsive. /2LONLINE/