Brenda kësaj jave, Projektligji për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jetë në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shqyrtim. Kjo pasi që ky projektligj ka marrë vizën e ekzekutivit për të kaluar në legjislativ.Thaçi tha se ky ligj afirmon vlerat e luftës çlirimtare dhe unitetin politik në vend.Qeveria mbështeti edhe iniciativën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për hartimin e Projektligjit përmes të cilit ndiqen dhe dënohen të gjithë ata që marrin pjesë në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë, tha se qëllimi i nxjerrjes së Ligjit për veteranët është përcaktimi i beneficioneve për veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së të cilët me kontributin e tyre ishin faktor vendimtar për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai tha se ky projektligj përfshinë të drejtat dhe beneficionet për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në të gjitha periudhat që nga fillimi i rezistencës civile deri në çlirimin e Kosovës.
“Jemi të vendosur që asnjë personi, asnjë qytetari, asnjë veterani, edhe kontributin më të vogël, apo edhe vetëm një orësh nëse ka qenë, mos t’i hyhet në hak askujt. Ky projektligj, duhet të jetë një projektligj, i cili afirmon vlerat e luftës çlirimtare dhe afirmon në kuptimin edhe të unitetit politik dhe qytetar”, tha Thaçi, transmeton RTK.
Me këtë projektligj përcaktohet Dita e Veteranit dhe shumë beneficione që do t’i gëzojnë veteranët dhe trashëgimtarët e tyre, si në pension, ashtu edhe në shërbime shëndetësore dhe shërbime tjera..
Kabineti qeveritar i dha mbështetje edhe iniciativës që prezantoi ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi për hartimin e Projektligjit me të cilin do të ndiqet dhe gjykohen të gjithë ata që marrin pjesë në luftëra jashtë territorit të Kosovës, siç është rasti i Sirisë.
“Kemi konsideruar që është imediate krijimi i kornizës ligjore për ndjekjen dhe gjykimin e personave të tillë që marrin pjesë në konflikte apo në çfarëdo forme tjetër të organizimit joformal paraushtarak apo parapolicor jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, tha Rexhepi.
Ndërkohë, Qeveri ai dha i dha mbështetje të plotë agjendës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën e prezantoi ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, i cili është edhe kryetar i Këshillit Organizativ për shënimin e 6 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Çeku prezantoi edhe logon e 6 vjetorit të pavarësisë ku paraqitet numri 6 që simbolizon rrumbullakësimin e shtetësisë dhe vazhdimin drejt Bashkimit Evropian.