Në seancën e rregullt të Kuvendit të Kosovës, sot si pikë kryesore do të jetë shqyrtimi i parë i projektligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu, si pika të rendit të ditës do të jenë edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, zgjedhja e një anëtari jo ekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.
Para se të fillojë seanca e rregullt, do të jetë vazhdimi i seancës së 24 shkurtit ku deputetët e Kuvendit do të votojnë rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë në shkollat e Republikës së Kosovë, do të votojnë rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, si dhe do të votojnë rekomandimet nga debatin parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të IGK “Ballkan”, në Suharekë.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot do t’i fillojë punimet, pasi që javën e kaluar nuk është mbajtur seancë shkaku i aktiviteteve të Epopesë së UÇK-së që janë mbajtur me 5,6 dhe 7 mars.