(2LONLINE) – Shtëpia e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” është përballuar për vite të tëra me një gjendje jo të mirë , si në hapësirën për aktivitete kulturore, po ashtu edhe në parakushtet për organizimin e shfaqjeve dhe koncerteve në sallë. Një projekt i cili parasheh renovimin e hapësirave në këtë objekt, ka gjetur përkrahje nga Komisioni Evropian i cili dje ka njoftuar përmes një shkrese Institucionet komunale të Vitisë, se do të mbështesë këtë projekt.
Drejtoresha për Kulturë Rini e Sport në Viti Kaltrina Sylejmani, ka theksuar se realizimi I këtij projekti konsiderohet shumë I rëndësishëm, pasi që do të ofrojë kushte shumë më të mira si për shoqëritë, ansamblet e grupet artistike edhe për zhvillim normal të ushtrimeve dhe aktiviteteve tjera, po ashtu edhe për promovimin sa më të suksesshëm të punës së tyre. “Sot zyrtarisht u njoftuam se projekt propozimi për Shtëpinë e Kulturës “Gursel dhe Bajram Sylejmani” është mbështetur nga Komisioni Evropian.
Ky projekt për renovimin gjeneral të Shtëpisë së Kulturës, do të mundësoj renovimin e hapësirave të vjetra dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore e sportive”, është shprehur drejtoresha Sylejmani. Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e komisionit evropian për mbështetjen e 2 projekt propozimeve, të Shtëpisë së Kulturës dhe Sheshit “Nijazi Azemi” në qendër të qytetit të Vitisë./2l Online/