(2L ONLINE) – Komiteti për Kulturë, Rini e Sport (KKRS) e ka miratuar projekt-propozimin e manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2015”, duke rekomanduar një shpërndarje të programit, si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. KKRS ka rekomanduar edhe reduktime buxhetore, nëse kjo është e mundur të bëhet në shumën e planifikuar prej 40 mijë euro.
Shpresa Kurteshi, kryesuese e KKRS, tha se manifestimi kulturor “Flaka e Janarit” që mbahet në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të kombit, nga viti në vit i ka dëshmuar vlerat e veta. Ajo i ka dhënë përkrahje projekt-propozimit, por ka kërkuar nga organizatori që të jetë sa më i kujdesshëm te shpenzimet buxhetore.
Bujar Haziri, drejtor për Kulturë, ka thënë se programi do të ketë disa ndryshime të vogla, të cilat bazohen te përvojat e deritashme, por do të ruhen katër shtyllat kryesore, duke shtuar se “Flaka e Janarit” është manifestim me të cilin Gjilani identifikohet prej 24 vitesh e këndej.
Haziri ka thënë se ideja është që një pjesë e programit të bartet në disa prej fshatrave më të mëdha, atje ku edhe e ka zanafillën e tij manifestimi, duke pretenduar që kjo shtrirje të përfshijë edhe Luginën e Preshevës.
Ideja është që pjesa e Dramës të reduktohet dhe të mos ketë karakter garues, sikurse edhe pjesa muzikore, të cilat mund të organizohen si festivale të veçanta gjatë muajve të verës.
Sa i përket anës financiare, Haziri tha se KKRS duhet t`i rekomandojë Kuvendit Komunal themelimin e një kodi të veçantë buxhetor për këtë manifestim, sikurse që tashmë është e domosdoshme që “Flaka e Janarit” të përfshihet në kalendarin e programit vjetor të MKRS.
KKRS i ka përkrahur propozimet e Nezahate Omerit, që në programin e “Flakës së Janarit” të përfshihet edhe një ekspozitë me fotografi të demonstratave të vitit 1989/1990 si dhe atë të Malazog Hoxhës, që pjesë e programit muzikor të jetë edhe “Vallja e Gilanit”, që është vlerë origjinale dhe unike e këtij qyteti.
Sa i përket kërkesë së Shoqatës së Pavarur Kulturore për ndarjen e një buxheti prej 22.250 euro për organizimin dhe mbajtjen e Festivalit ndërkombëtar të folklorit “Gjilani 2015”, KKRS do të vendos në takimet e ardhshme, meqë ky aktivitet parashihet të mbahet në pjesën e dytë të qershorit. /2L ONLINE/