Edhe në letërsinë shqipe mund të shkruhet një histori e tërë e mendimit kritiko-letrar, ashtu sikundër mund të shkruhet e flitet për individualitete e personalitete të tëra të kritikëve letrarë, që nga Konuica, Krist Maloki, Mitrush Kuteli, apo autorët tjerë të viteve ’30, si Vangjel Koça, Arshi Pipa, Fan Noli, Gjergj Fishta etj etj.
Prend BUZHALA
Hiç shkrimet e At Shtjefën Gjeçovit e të ndonjë autori tjetër të traditës, në letërsinë shqipe në Kosovë, kritika letrare zhvillohet vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, fillimisht me brezin e parë të shkrimtarëve, si Vehap Shita, Hasan Mekuli, Ali Jasiqi, Aliu Aliu e deri te Rexhep Qosja, të brezit të kritiklve e studiuesve letrarë që po vinin në vitet ’70, si Ibrahim Rugova, Anton N. Berisha, Sabri Hamiti, Agim Vinca, Emin Kabashi, Sefedin Fetiu, Bajram Krasniqi etj.
Ndërkohë që, në vitet ’80 vjen një brez tjetër në krye me Ramadan Musliun, i cili, për dy dekada pandërprerë, deri në fund të viteve ’90, është marrë sistematikisht me leximin kritik të prodhimit letrar në letërsinë tonë.
1.
Ramadan Musliu, sidomos gjatë viteve ’80, ishte njëri ndër kritikët më dinamikë, më aktivë, më konsistentë, të letërsisë shqipe në Kosovë. Dhe këto vlerësim-epitetizime nuk mund t’i gëzojnë të gjithë ata që janë marrë apo merren me kritikë letrare, për shkak se Musliu është ndër të paktët që pati krijuar një qasje e raport sistematik ndaj letërsisë; për shkak se shkrimit të tij kritik, analizës letrare dhe formave tjera të zhanreve kritike, pothuajse i nënshtrohet i gjithë prodhimi ynë letrar i atyre viteve; për shkak se secili shkrimtar bashkëkohor shqiptar i këtij krahu të letërsisë sonë, e gjente vete në majën e penës së këtij kritiku; dhe, më në fund, për shkak se ai kishte dhuntinë dhe përkushtimin e një kritiku të mirëfilltë letrar.
Dhe sado që kontaktin me publikun lexues ai e mbante me anë të shkrimit kritiko-letrar, pikërisht në kohën kur ai po afirmohej më shumë si kritik me shkrimet e botuara te shtojca kulturore e “Rilindjes” gjatë gjithë viteve ’80; ai, para lexuesve shfaqet me profilin e tij krijues si poet. Gjatë kësaj dekade të larttheksuar, ai boton librat poetikë “Parodia e trupit”(1981), ” Shqisa e gjashtë” (1985) dhe “Pasqyra e të rrëfyerit” (1987), që të gjitha të botuara në Prishtinë.
Vetëm pas një përvoje të gjatë shkrimesh kritiko-letrare, ai e boton vëllimin e parë me kritika letrare “Mbindërtimi poetik” (1990), e që përmbledh vështrimet kritike mbi librat e poezisë shqipe gjatë viteve 1980-1989. Me përgatitjen e formimin intelektual të një kritiku të tillë letrar, ai gjatë viteve ’90, në Tiranën tashmë postkomuniste, do t’i rishquajë, me shpërthime të reja të mendimit kritik, vlerat e letërsisë sonë, do t’i vë në tryezën e leximit jo pak ndër shkrimtarët e anatemuar e veprat e tyre që po i riktheheshin letërsisë sonë; dhe do të spikatin edhe një seri kolumnesh, komentesh, esesh e shkrimesh, për një dekadë të tërë, në lëmin e publicistikës politike, në të cilat ai ligjëron po me atë sistem mendimi e nocionesh intelektuale të fushës së kritikës letrare. Në këtë kohë, në Tiranë, ai boton vëllimin poetik “Kënga e sibilave” (1996) dhe vëllimin me kritika letrare “Konfiguracione narrative”, në të cilën përfshihen shkrime kritike mbi veprat në prozë të letërsisë sonë.
Në fushën e botimeve kritiko-letrare, paraqitje më sistematike me anë të vëllimeve kritiko-letrare, ai do të paraqitet në Kosovën e lirë, me vëllimet “Estetikë e dallueshme” (2004), me shkrime që merren me autorë të traditës e të letërsisë bashkëkohore, pastaj me vëllimin “Eksurs në letërsinë për fëmijë” për autorë e vepra të letërsisë shqipe për fëmijë, kryesisht shkrime të botuara gjatë viteve ’80. Dhe, së fundmi, vjen vëllimi ”Tangjentat letrare” (2011), me ese, studime e shkrime kritiko-letrare që nga viti 1979 e këndej.
Për gjatë gjithë këtyre dekadave, duke mos pushuar as në Kosovën e pavarur, Ramadan Musliu nuk resht së lexuari letërsinë shqipe. Përgjithësisht, kritikët letrarë do t’i takojmë jo vetëm duke analizuar, interpretuar a duke studiuar vepra letrare dhe letërsinë; por duke përzgjedhur veprën më të mirë letrare në juritë profesionale; duke përcjellë dinamikën e botimeve, të prirjeve e të zhvillimeve më të reja letrare…
Nuk është e habitshme, prandaj, përse në letërsitë moderne, personaliteti i një kritiku letrar çmohet për veprat kapitale të mendimit kritik që ia dhuron letërsisë. Nga ana tjetër, ata do t’i gjeni gjithsesi në debatet e qëndrimet kritike ndaj zhvillimeve letrare dhe shoqërore, ashtu sikundër do të ndeshet edhe zëri i pjekur e me intelekt i Ramadan Musliut.
Nëse në dy dekadat e fundit të shek XX, atë do ta kemi ndeshur duke shkruar shpesh me ton të ashpër dhe polemik; ai do të bëjë pjesë në atë lagje kritikësh, të cilët, aq sa meditojnë dhe reflektojnë me ton të qetë, me maturi e me pikësynime të qarta; po aq, madje, do të lexohet dhe si zë edhe në fushën e polemikës letrare e publicistike politike.
Gjithsesi, është e kuptueshme, prandaj, përse jo pak ndër këta emra kritikësh, brezash të ndryshëm, do t’i gjeni të formuar me profilin e intelektualit me frymë demokratike; prandaj ata i ke pasur gjithnjë në vijën e parë për të luftuar për lirinë e fjalës artistike, për lirinë e fjalës përgjithësisht në kushtet dhe rrethanat e një kohe të ngarkuar me ngushtica ideologjike, me ndalime të shumta të veprave të autorëve të anatemuar dhe me ndalime të shumta të trajtimit të tematikës që, për këto sisteme ideologjike, ishte e papërshtatshme, e shpallur me njëmijë etiketime fyese, sulmuese apo përbuzëse.
Së këndejmi, i gjithë kjo seri shkrimesh disadekadëshe, gjatë viteve ’80 e ’90, Ramadan Muslu do të shquhet ndër kritikët letrarë me format të spikatur intelektual, i cili jo vetëm që merr pjesë dhe ndikon në rrjedhat e jetës kulturore e letrare, po edhe të asaj politike dhe, së këndejmi, pse jo, edhe të bëhet zëdhënës i lirshëm i këtyre pikësynimeve kombëtare apo letrare, kulturore apo politike. Prandaj në të kaluarën, kritikët letrarë ishin ndër emrat më të popullarizuar.
Me frymën e mendimit të risive kritike të rrymimeve moderne të kritikës letrare, me të cilat Ramadan Musliu bie në kontakt literaturash dhe veprash, ai do ta shquajë dhe temperamentin e tij letrar-kritik. Dhe, kësisoj, nëpërmes depërtimeve autoriale në veprat letrare e në rrjedhat e letërsisë sonë, na vijnë dhe qasjet, fryma dhe prirjet e rrjedhave të mendimit kritiko-letrar e të letërsisë përgjithësisht, sikundër është ajo e kritikës imanente, e strukturalizmit, e kritikës së interpretimit apo e qasjeve në poetikën tekstuale të letërsisë.
Dhe krahas inovacioneve nocionore të reja kritiko-letrare, e ndiejmë dhe zgjuarsinë e kritikut për ta spikatur një shteg të ri tematik poetikash letrare; apo krahas një përpjekje për përmbysjet ideologjike të kohëve që i jetuam e përjetuam, të thyerjes së pengesave e barrierave të djeshme, kritiku gjithnjë do të gjendet në rolin e një heretiku të përhershëm, të një opozitari të amshueshëm, të një provokimi të ri meditativ-interpretues, gjithnjë me pikësynimin për të çelur mundësi të reja krijimi e mendimi.
Dhe, kritiku do të jetë ai që ndikon në shijet e epokës letrare e në formimin e saj; ai menjëherë e nxit kureshtjen e lexuesit se cilët libra duhet lexuar, cilat janë modelet më të përkryera të artit letrar dhe cilat janë veprat me joshje gjuhësore e stilistike më të përkryera. Te vepra e një kritiku do të hasni gjithmonë frymën e kohës, do të ndesheni gjithnjë në autorin që thyen klishetë, që i relativizon tabutë kulturore, letrare e deri te ato politike.
2.
Kritika në vitet 1980- 1998, jo vetëm që po konstituonte frymën e kohës, por ajo na dëshmon se si dje është lexuar letërsia dhe, në rrafshin e përtashëm sinkronik, na ballafaqon edhe me të sotmen: a lexohet edhe sot letërsia kësisoj apo ndryshe; cilat janë instrumentet, sistemi nocionor, metodat, qasjet e mendimit kritik dje e cilat sot?
Po qe se i ballafaqojmë këto dy realitete, atëherë na del një paradoks i llojit të veçantë: sot mbrohen doktoratura të panumërta në fushën e dijeve letrare, vijnë dhjetëra e dhjetëra emra të rinj studiuesish letrarë, që analizojnë e studiojnë fenomene letrare të djeshme e të sotme; por tejet-tejet të rrallë janë emrat e kritikëve letrarë që përcjellin prodhimin e sotëm letrar. Janë shtuar tipat e tipologjia e kritikë studimore akademike a universitare, por ata sikur fare nuk e kanë të qartë se a i duhet edhe sot letërsisë kritika letrare?
Ramadan Musliu do të bëjë pjesë në radhën e atyre kritikëve të djeshëm, shumica ndër ta të gjallë, që kanë arritur ta vendosin saktësisht autorin dhe veprën në hierarkinë e vlerave letrare dhe kjo është ndihmesa e jashtëzakonshme e leximit të djeshëm, por që u mungon kritikës së sotme akademike e akademizuese.
Nëse te të gjitha këto vëllime kritike të Ramadan Musliut parakalojnë pothuajse shumica e autorëve dhe veprave për dekadat që i lamë pas; nëse te këto shkrime ai ka arritur që të jetë dhe një si udhërrëfyes për studiues e për lexues në oqeanin e madh të quajtur letërsi dhe literaturë; kjo e sotmja, kur ka kaq shumë universe letrare e mediatike të Epokës Digjitale, e kaq e kaq universitete; atëherë përse kritika letrare sot e ka tepër të shurdhër zërin e saj, të papërfillshëm, madje dhe refuzues?
Dhe nëse e dëgjojnë këtë zë, janë ata breza e ajo shtresë lexuesish që kanë të formuar vetëdijen letrare në kohët e kaluara…
Nëse kritiku i djeshëm letrar arrinte që ta nxirrte nga heshtja një libër të mirë letrar, i cili do të mbetej krejtësisht i pavërejtshëm; sot jemi dëshmitarë se si shpërblehen veprat e asaj kategorie autorësh që i kanë në dorë paratë, edicionet e fuqishme botuese, që i kanë në dorë mediet televizive apo fuqitë vendim-marrëse pushtetore.
Nëse dje, bie fjala, regjimi komunist, përmes trabantëve e kritikëve të paguar zyrtarë letrarë, mburrte vepra ideologjike; sot këtë rol sikur e marrin në dorë fuqitë e nëndheshme të të përfitimeve të pafund.
Dhe, në këso rrëmuje të sistemit të çrregulluar aksiologjik të vlerave, shumë vepra që kanë vërtet cilësi artistike, mbesin krejtësisht në heshtje, dhe shumë të tjera, që mund të quhen libra të ditës, bëjnë kërdinë në treg, duke i ofruar lexuesit vepra me shije të dyshimta artistike. Së këndejmi, këto vëllime kritike të Ramdan Musliut, le t’i konsiderojmë si zë që ka regjistruar vlerat dhe ka spikatur vlerat. Kjo vepër kritike e bën shtegtimin e saj në kohë e nëpër kohë.
Po qe se shumica e vëllimeve kritike të Ramadan Musliut botohen në Kosovën e pavarur, si dëshmi e vetëdijes letrare të një kohe, atëherë do theksuar dhe një paradoks tjetër: kurrë më shumë se sot kritika letrare nuk ka pasur hapësirë për t’u shkruar e botuar, por kurrë, asnjëherë e në asnjë kohë nuk ka ndodhur sikundër ndodh sot që zëri i kritikës letrare të mos dëgjohet.
Në fakt, mediet tona të shkruara, shumica ndër to, e dëbuan kritikën letrare nga faqet e tyre. Paradoksi shkon më tutje: shumë gazeta a portale kanë shtojcat e tyre të kulturës dhe rubrikat e tyre të kulturës, por tejet të rralla janë shkrimet kritike. E të mos flasim më në mos ka ndonjë emër kritiku që do ta takonim e lexonim vazhdimisht…
Ekzistojnë dhe revistat letrare, por në to fare nuk ka as informim minimal për botimet e reja me vlerë e lëre më të ketë shkrime kritiko-letrare, sikundër kishte dikur “Jeta e re”, apo sikundër e kishte nëpër dekada shtojcën e kulturës e rubrikat për kritikat letrare gazeta “Rilindja” e në të cilën për aq e aq vite, ishte i pranishëm e i madh kontributi i Ramadan Musliut. Ai, madje, dallon edhe nga studuesit e sotëm akademikë, pikërisht pse përfshin dhe përmasën krijuese të leximit.
A mund të shmanget edhe një përmasë e leximit, siç është leximi krijues?
Thjesht, çfarë është vetë natyra e kritikës letrare. Sa do që mendimi për kritikën letrare, që nga antika e deri më sot, është aq i gjerë, i kapërthyer nga shkolla, rryma, epoka letrare, nga periudha apo shkolla të mendimit kritik; megjithatë ajo nuk i është shmangur pikësynimit të saj themelor: për të qëndruar “si urë mes autorit, lexuesit dhe veprës”, nga njëra anë, dhe për të qëndruar në mes dijes (shkencës letrare) dhe përmasës kreative, imagjinatës krijuese, nga ana tjetër…
Ballafaqimi i këtyre vëllimeve kritike me të sotmen na tërheq vëmendjen dhe te një fakt tjetër: po qe se nuk ke një kritikë të zhvilluar letrare, atëherë nuk ke as letërsi të mirëfilltë artistike e as paraqitje të leximeve të ndryshme të leximeve të reja e gjithnjë të reja të veprës letrare, ashtu sikundër nuk ke as lexime kontekstuale të veprave letrare. Dhe nuk është e habitshme përse edhe ato kritika letrare që botohen sot, ad hoc, të shumtën e rasteve janë tepër oportune, përshkruese, shpesh dhe me mungesë të vetëdijes letrare apo të njohjeve letrare përgjithësisht.
Nëse sot në dhjetëra e qindra studime letrare akademike, hasim vërtet një rrjetë të pasur nocionore, hasim rrjedhat e mendimit të ri kritik e letrar, megjithatë ato vuajnë nga klishetë e mendimit: sikur kanë dalë nga i njëjti kallëp profesural; nga i njëjti sistem mendimi.
Ato vuajnë nga mungesa e invencionit kritik, nga mungesa e intelektit krijues dhe nga vetëdija krijuese e mendimit kritik.
Mirëpo, do pasur parasysh dhe një rrethanë tjetër, në të cilën krijon dhe shkruan një kritik letrar. Nëse dje, kritiku letrar, si Ramadan Musliu, ballafaqohej me presionet e qarqeve ideologjike të sistemit, edhe përgjithësisht kritikët letrarë kanë presione nga të gjitha anët.
Kur ndaj një kritiku letrar vihen në veprim mekanizma të tërë të goditjes a cenimit të kritereve të tij artistike e letrare, të konceptit të tij filozofik në shtresat e mendimit letrar, atëherë kësisoj është prekur e goditur pavarësia e kritikës letrare vetë dhe vlerat e e personalitetit të tij si kritik letrar.
Gjithë këtë problematikë kaq të ndërliqshme, sipas kritereve të tij intelektuale, Ramadan Musliu e trajton te disa ese të vëllimit “Tangjenta letrare”, sikundër janë “Kritikas- reflektim i krizës së vetëdijes krijuese”, “”Dukuria e policentrizmit në letërsinë shqipe”, “Letërsia shqipe (a) është një”, “Kultura e krizës” dhe “Letërsia e kujtesës nacionaleQ”.
Porse Ramadan Musliu e ka ruajtur të pacënuar autonominë e tekstit të tij kritiko-letrar. Leximi sistematik i shkrimit të tij kritiko-letrar, përfshihen shkrime kritiko-letrare: poezi, prozë, dramë, letërsi për fëmijë, studime e libra kritikash letrare, tekste interpretimesh poetike, lexime të letërsisë publicistike, historiografike, kulturologjike etj.
3.
Çka e bën të dallueshëm profilin e tij kritik?
Autori, që në fillim të këtyre shkrimeve, është i ndërgjegjshëm se leximi nuk i do kufizimet, ashtu sikundër as interpretimit të një shkrimi letrar nuk mund t’i vihen kufij; letërsia në vete ngërthen shumësinë e leximeve.
Ai i qaset ekskluzivisht tekstit letrar dhe këtë e thekon që në vëllimin e parë “Mbindërtimi poetik”, se teksti kritik është një vizion personal kritik i mbindlrtuar mbi atë të një vizioni poetik të poezisë së asaj kohe. Borhes do të thoshte: sa lexues, aq lexime. Kësisoj, leximet e veprave poetike të Esad Mekulit, Enver Gjerqekut, Murat Isakut, Abdylaziz Islamit, Ali Musajt, Faros Arapit, Din Mehmetit, Fahredin Gungës, Qerim Ujkanit, Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt, Mirko Gashit, Koçi Petritit, Sulejman Matos, Ali Podrimjes, Teki Dervishit, Resul Shabanit, Musa Ramadanit, Ndoc Paplekës, Beqir Musliut, Natasha Lakos, Xhevahir Spahiut, Eqrem Bashës, Avdullah Konushevcit e të ndonjë autori të ri të atyre viteve; përbëjnë pamjen e leximit të kulmeve të papërsëritshme zë poezisë sonë, gjithnjë me mbizotëruesen kryesore vlerësuese kritike, sikundër autori e quan kompontentja estetike.
Dujke përfshirë autorë nga meset e ndryshme e nga qendrat e ndryshme kulturore e letrare; autorë bashkëkohorë të brezave të ndryshëm; Ramadan Musliu do ta shikojë letërsinë hqipe si një tërësi, gjithnjë duke apsur parasysh dhe fenomenin e policentrizmit kulturor, fenomen që do ta analizojë te vëllimi “Tangjentat letrare”. Nëse te vëllimi ““Konfiguracione narrative” autori përfshin shkrime të zgjedhura kushtuar veprave e autorëve bashkëkohorë në lëmin e prozës, te vëllimet tjera vijnë po ashtu poetë, dramaturgë, prozatorë e kritikë letrarë që merren në shqyrtim nga kritiku Musliu.
E pra, kritiku gjithnjë gjendet aktiv në aktin e leximit (term i studiuesit gjerman Wolfgang Iser). Studiuesit e dijetarët frëngj, që nga Barti e këndej, e përkufizojnë shkrimin e tillë si kënaqësi të leximit.
I preokupuar vazhdimisht me fenomenet poetike të tekstit e të figurës, të strukturave të veprës e të semantikës së saj, Ramadan Musliu hulumton vazhdimisht shtegun dhe kërkon zgjidhjen e fshehtësive të vetëdijes letrare, të ndriçimit të impulseve krijuese, kërkon ta gjejë kuptimin e jetës e të literaturës; dëshiron të na thotë se cilat janë vlerat e vërteta, cila është Vetëdija për Tekstin.
Kritika gjithnjë vjen mbas veprës, ani se ngandonjëherë ajo edhe i prin me kontekstin kulturor e shoqëror të momentit, në të cilin ajo krijohet, shkruhet; ashtu sikundër do të thoshte Hegel: “Kjo është fryma e epokës, e farkuar nga mendimet”. Dhe disa herë autori Musliu e thekson këtë frymë tek parathëniet e vëllimeve të tij e të esetë e tij.
Nëse Epoka Moderne kërkonte vetëm Leximin e Tekstit, kurse që nga Niçe e këndej, kërkonte vetëm Interpretimin, shkrimtari i shquar bashkëkohor, Borges, thotë: “Duhet të hapim librin që shpirtrat të rizgjohen.”
Vetë teksti e krijon Interpretuesin e vet, kurse kritika gjithnjë e gjithnjë gjendet në shoqëri me motrën e saj që i rri te koka në të gjitha vështirësitë, sikundër është Praktika e Leximit. Kritiku është si ai princi i përrallës me mbretër, të cilit i duhet të kalojë sa e sa vështirësi e pengesa për të arritur te Hirushja e tij, në këtë rast, për të arritur te qenësia e veprës: për ta përcaktuar këtë qenësi si tekst letrar e mandej si zhanër a si tipologji letrare… për t’i nxjerrë esencat e artit e të vlerave estetike.
Kurse kritikut, nganjëherë i duhet që edhe kështu të përplaset me botën e esencave, nocioneve, t’i krijojë vetë ato, t’i nxjerrë thelbet e kësaj qenësie arti, t’i formësojë e formojë teoritë dhe interpretimet mbas leximit të veprës.
Dhe, kur i eklxojmë sot këto vëllime kritike të Musliut, a nuk është kritiku ai që krijon besim të ri në tekst, që krijon pra domethënie të reja, semantizime të reja të tekstit, të urtisë; që shfaq dyshime, dilema e të çshenjtërojë kulte e diktatura; dhe, së këndejmi, prej lexuesve besnikë, përsëri të krijojë lexues laikë, heretikë të rinj, nga laikët të krijojë besnikë, nga besnikët heretikë… Dhe, në këtë drejtim, gjithnjë do të shtrohet dilema: a do të identifikohet e shkrihet plotësisht në shëmbëlltyrën e tekstit e të autorit?
Kritiku, apo vepra dhe autori do të shkrihen e identifikohen në Modelin e shkrimit interpretues e lexues të kritikut?
Edhe vëllimi “Ekskurs për letërsinë shqipe vjen pas shumë dekadash, kur ky autor i kishte publikuar shkrimet e tij për autorë e vepra të letërsisë sonë për fëmijë. tashmë emri i këtij autori hyn në radhën e kritikëve dhe studiuesve të mirëfilltë të letërsisë shqipe për fëmijë, që nga Bedri Dedja e Agim Deva e deri te Astrit Bishqemi. Periudhat e pas luftës së Dytë Botërore sjellin qindra autorë që përkushtimin e tyre ua dedikojnë tërësisht botës së fëmijëve dhe letërsisë për fëmijë.
Pos kritikës së mirëfilltë letrare që interpreton, vlerëson dhe shkoqit vepra të veçanta të kësaj letërsie e të këtyre autorëve, zunë të paraqiten edhe sintezat e para shkencore, siç janë “Letërsia për fëmijë” dhe “Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë” e Bedri Dedjes, “Poezia e shqipe për fëmijë 1872-1980” dhe “Romani ynë për fëmijë” të Agim Devës, kurse tani, gjatë shek XXI, vijnë “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” e Astrit Bishqemi që pati disa botime, “Letërsia shqipe për fëmijë” e Ramazan Çadrit, kurse sinteza të tilla për letërsinë shqipe për fëmijë apo leksikone, kanë shkruar edhe Bardhosh Gaqe, Odhise Grillo, Hasan Hasani, Sabit Jaha, Tasim Gjokutaj, Neshyt Sadiku, Nehas Sopaj, Faik Shkodra etj. Ndërkaq, pos autorëve të larttheksuar, potencë të mirëfilltë të kritikës letrare kushtuar letërsisë sonë për fëmijë, në Kosovë dallohen Xhevat Syla, Anton N. Berisha e ndonjë tjetër.
Po ashtu, disa nga veprat që janë botuar kohëve të fundit e që janë me interes për recpetimin kritik të letërsisë për fëmijë: “Profile letrare” të Milaim Nelajt, “Bilbiopgarfia e letërsisë shqiptare për fëmijë” e Ahmet Selmanit, “Kalliri i plotë” (shënime bio-bilbiografike për Odhise Grillon) përgatitur nga Sabit Jaha, “Shpirti plot rubinë” (Vepra letrare e delina Mamaqit) studim i9 Shurkie Ramës, “Përkimet e letërsisë gojore me poezinë e shkruar për fëmijë – Rexhep Hoxha, Cehbi Kikaj, Rifat Kukaj) studim i Mr. Leontima Gega – Musës, “Poezia popullore e fëmijëve” studim i Mr. Jahir Ahmetit. Do përmendur me këtë rast edhe ndihmesën që po e jep qe disa vite Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë me sesionet e veta shkencore kushtuar kësaj letërsie apo autorëve të veçantë e me studiues që e kanë përkushtim letërsinë për fëmijë.
Meqenëse kritika letrare për letërsinë për fëmijë paraqitet në dy tipat e saj: kritikë letrare për fëmijë dhe kritikë letrare e letërsisë për fëmijë, që iu dedikohet të rriturve, shkrimtarëve e studimit të mirëfilltë të kësaj letërsie; atëherë nuk do mend se kjo përbën edhe tani një sfidë të vërtetë.
Ç’është e vërteta, përgjithësisht kritika letrare, qoftë edhe ajo për vepra të letërsisë për fëmijë, i drejtohet lexuesit të rritur, pedagogëve, prindërve dhe bibliotekistëve, sepse fëmija nuk është intelektualisht dhe emocionalisht i pjekur për t’i bërë një lexim krijues tekstit kritik.
Veprat e sotme të letërsisë për fëmijë e ngërthejnë paradigmën e vet të leximit, leximin paradigmatik. Kurse leximi studimor e kritik gjithnjë e gjithnjë do të gjendet në shoqëri me motrën e saj që i rri te koka në të gjitha vështirësitë, sikundër është Praktika e Leximit. Kësisoj, edhe ciklet e këtij vëllimi kritiko-letrar kushtuar letërsisë për fëmijë, ndahen sipas zhanreve: “Estetikja dhe etikja e poezisë”, “Matrica përrallore e romanit” dhe “Ekzotika e narracionit tregimtar”. Edhe gjatë viteve ’80 autori na dëshmon se kishte një korpus të pasur veprash letrare për fëmijë; botonin autorët e moshuar që e kishin themeluar letërsinë tonë për fëmijë në Kosovë (Mark Kasniqi, Rexhep Hoxha, Mehmedali Hoxha, Qamuil Batalli), autorë që e konsoliduan këtë letërsi (Abdylatiz Islami, Muhamed Kërveshi, Rahmi Tuda, Nuhi Vinca, Fejzi Bojku, Hajro Ulqinaku etj), autorë i dhanë pamje të re, moderne, letërsisë sonë për fëmijë (Agim Deva, Ibrahim Kadriu, Abdyl Bunjaku, mer Elshani, Avdi Shala, Jonuz Fetahaj, Anton N. Berisha, Hasan Hasani, Zejnullah Halili, Gani Xhafolli, Nexhat Halimi, Abdullah Thaqi etj) e deri te autorët më të rinj të kësaj kohe (KLiri Loshi, Qibrije Demiri, Veli Veliu, Ismet Aliu etj).
Sado që të gjithë kritikët e studiuesit e shquar të letërsisë sonë, pedagogë dhe shkrimtarë, kanë publikuar shkrimet e tyre mbi letërsinë për fëmijë; dhe sado që shkrimet e tyre e bartin konceptin kryesor mbi letërsinë për fëmijë: konceptin se kjo letërsi qe disa dekada tashmë e ka krijuar statusin e saj shoqëror; megjithatë vetëm vëllimet kritiko-letrare dhe sintezat shkencore arrijnë t{i shquajnë vlerat e themelore, autentike e të patjetërsueshme estetike të kësaj letërsie.
Madje, do të thoshim, krye-konceptet e kategorive vlerësuese te Musliu dalin qël në titujt e cikleve (estetikja, etikja, matrica përrallore apo ekzotikja e narracionit), apo që në titujt vlerësues të shkrimeve, si: intenca edukuese e poezisë, poezia e imazheve, evoluimi i konceptit poetik, efekti i deskripcionit poetik, poetizimet, poezia e disponimit ekstatik, karakterizimi fabulativ i poezisë, intelektualizmi i vjershës, forcimi i rezonancës sociale, perceptimi peotik i botës, poezia si parafrazëetj, kur shkruan për vëllime peotike; apo: përpunimi i motiveve përrallore, tangjentimi me realitetin, rikonstruktimi imagjinativ i hsitorisë, reflektimi i luftës në psikën e fëmijës, përditshmëria si inspirim, e bukura si ideal, kuptimi i aventurës etj, kur ligjëron për romanet e botuara në këtë kohë: si “Verorja e Rexhep Hoxhës, “Vajza e panjohur”, “Krimi në tempull” dhe “Pëllumbi sqepartë” të Abdylaziz Islamit, “Ditari i kaltër” i Qamil Batallit, “Çapkënët” i Abdyl Bunjakut, “Viti i ikjeve” dhe “Fëmija i padukshëm” të Avdi Shalës, “E bukura e dheut” e Anton N. Berishës, “Shtëpia me kulm teposhtë” e Gani Xhafollit, “Grigja” i Rushit Ramabajës, si dhe dy romane të Nerimane Kamberit.
Në këtë thjerrzë vlerësim-leximesh kritike, gjenden edhe vëllimet me tregime të kësaj periudhe, me autorë si Hajro Ulqinaku, Zejnullah halili, Ymer Elshani etj. Me të drejtë vlerësohet se është i domosdoshëm interpretimi i qenies artistike të kësaj letërsie, i fenomeneve të saj estetike, i trajtave dhe ndërliqësisë së komunikimit e të teorisë së komunikimit estetik, për të arritur te vlerësimi sistematik i të arriturave të saj krijuese.
4.
Kësisoj, përpara na shfaqen kritiku aktiv në mediet e shkruara përgjatë atyre dekadave dhe kritiku me vëllimet e tij të botuara më vonë. Koncepti libër (me lëndën e vet nga fusha të ndryshme të mendimit, dijes dhe artit letrar), e fikson edhe konceptin lexim, interpretim apo kritikë sipas gjedhes (modelit) autorial. Madje, duke e shtrirë leximin e tij në hapësirat e tilla të larmishme të botës së librit, kjo na jep dorë që praktikisht kritikës letrare t’i jepet edhe një karakterizim tjetër: veçantia e saj për të mbajtur kontakte këmbëngulëse dhe për të vjelë përvojat nga disiplinat e ndryshme shkencore e nga veprimtaritë e ndryshme shpirtërore, psikologjike, filozofike etj.
Gjithsesi, që Ramdasn Muliu bi zotëron këto njohje shi i asimilon me kaq intelekt krijues në shkrimet e tij.
Edhe kur vështron autorë të traditës, si Naimi apo Noli, autorë si Adem Istrefi, Rexhep Elmazi, Eqrem Basha, Lujeta Leshanaku etj (te vëllimi “Estetikë e dallueshme”), Muslu thekson përqendrimin te teksti artistik: “synohet të dallohet estetikja nga funksionet tjera, nga shtesat parazitare të tekstit, me qëllim që uniteti i kriterit të shfaqet në të njëjtën masë, si kur vështrohet një tekst i traditës, si ai i ditëve tona.” Te romani “Argati i dreqit” të Adem Istrefit, te dramat “Bregu i pikëllimit” tç Teki Dervishit, te libri me tregime “Pluhuri që mbin” i Kim Mehmetit, te proza tregimtare e Lazër Stanit, apo te dramat e librit “Shtrigani i Gjel hanit” të Beqir Musliut; autori inkuadron një sistem nocionesh që nuk hasen te kritikët tjerë; një si përvojë dhe nevojë e lexim shkrimeve nga ajo e thesarit të mendimit kritik botëror mbi letërsinë.
Guri themeltar i vlerësimit kritik në letërsi mbetet vlera estetike, si do të shprehej Ltysjen Goldman. Madje A, Tybode propozon që shkrimi kritik të quhet Muza e Dhjetë.
Për këtë arsye, edhe te këto shkrime kritike hasim pikësynimin për të hulumtuar e të gjetur forma të reja e gjithnjë e më të reja metodologjike.
Leximi nuk e përmbush vetëm kënaqësinë personale, por edhe nevojat e ndryshme kulturore, pikërisht për faktin që libri e formon njeriun; dhe, pikërisht, për faktin që njeriu është krijues, themelues e formues i i kulturës, së këndejmi, dhe humanizues i rrethit ku jeton. Osvald Shpengler do të thoshte: “Fjala i takon njeriut në përgjithësi, kurse shkrimi i takon njeriut të kulturës, në veçanti.”
Cili është besimi që na dhuron letërsia?
Përpos kënaqësisë së leximit, përjetimit estetik etj, shkrimi kritik është një aventurë, është një kërkim, më në fund, është kërkim i shpresës.
Koha jonë po e përjeton një paradoks: e parashikon shuarjen e librit dhe lindjen e galaktikave të reja të Gutenbergut:
“Të gjithë ne përfaqësojmë njerëzit e Gutenbergut që e duan dhe e vlerësojnë librin. Zëvendësimi i librit me ekranin televiziv e me atë të kompjuterit, na duket si triumf i barbarizmit. Megjithatë, mediumi elektronik nuk do ta zhdukë civilizimin e librit. Ato (ekranet elektronike) do ta ndryshojnë radikalisht mënyrën e të menduarit dhe të veprimit të njerëzve, ndërkohë që mënyra të reja të komunikimit, në rrjedhën e kohës, do të ofrojnë mundësi adekuate për organizim dhe për ta kuptuar botën në të cilën jetojmë”, thoshte Alvin Kernan (The Death of Literature), 1992).
Njerëzit nuk do të reshtin asnjëherë të mos e kërkojnë kritikën letrare, për t’i gjetur aty përgjigjet më të besueshme dhe kikat ku të mbështeten; pikërisht për faktin pse drita që ngërthen libri, nuk zbehet e as nuk humb asnjëherë, një dritë mu si e atyre galaktikave gutenbergiane të kozmosit që na shigjetojnë… Urtia e librave ndër mileniume e shekuj, është e gjallë, që lëviz si frymë ekzistence asnjëherë e shuar.
( E lexuar në sallën e KK të Gjilanit, më 24 qershor 2017, me rastin e dhënies së Çmimit letrar “Beqir Musliu”, shkrimtarit Ramadan Musliu )