Nga viti 1977, kur Sabit Rrustemi botoi poezinë e parë, e deri më sot, kanë kaluar mbi 40 vjet. Dhe, për këta 40 vjet, ta rindërtosh kujtesën letrare dhe rrugëtimin nëpër kohë, të shqiptohen këto raporte me nocionin e kohës dhe të letërsisë, mes veprimtarisë jetësore dhe evokimit; kjo do të thotë që t’i nënshtrohesh sfidës së rishkrimit të së kaluarës, nga njëra anë; po edhe të pamjeve në rilindjen e një letërsie e kulture nga ana tjetër.
Nga: Prend BUZHALA
1. Poetika: nga historia e një tregimi “armiqësor” e deri deri te libri i parë
Nga takimi i parë i lexuesit me librin poetik të Sabitit “Ku i la lisat era” (1990) e deri te më i riu “Mëkati që (s)e bëmë”, qëndrojnë afro tri dekada në mes. Qëndrojnë dhe librat e poezive “Besoj në një diell”, “Natyrë me vaj”, (album poetik), “Variacione për lirinë, “Ëndrra që puthet”, “Paqja e brishtë”, “Nën qerpikun tënd”, “Zjarrmi e kthjelltë”, “Në fytyrën e një gjethi”, “Murale shpirti”,”Shiu i buzëve tua”, “Pa një vdekje mbes”, poezia e zgjedhur e dashurisë nga Anton N. Berisha me titullin “”Ndezje yjesh në zemër”, si dhe librat tjerë në prozë e në publicistikë. Do theksuar se një përfaqësim poetik Sabit Rrustemi e ka edhe te publiku rumun me veprën “Antingere divina / Prekje hyjnore” (përkthyer në gjuhën rumune nga Baki Ymeri), Bukuresht, 2009.
Kur u publikua libri i tij i parë poetik me titullin “Ku i la lisat era” që e botoi “Rilindja”, Prishtinë, në fillimvitet ’90, ai erdhi me fatin që e ndau me autorin: vëllim poetik që ishte dorëzuar për botim që më 1981, i redaktuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja. Nuk është thënë më kot se letërsia dhe librat përjetojnë njësoj fatin e një kombi. Prandaj dhe ky libër vjen pas një dekade. Por dorëshkrimet e librat pësuan edhe më vonë: “librat e mi, dorëshkrimet dhe një bibliotekë e vogël prej 3500 librash u dogjën nga serbët në prill 1999-të bashkë me shtëpinë time”, rrëfen autori dëshminë e tij.
Tashmë Sabiti Rrustemi e kishte krijuar emrin e tij në radhët e lexuesve, edhe me shpërblimet poetike që merr me poezitë e dërguara në konkurset letrare të “Jetës së re”, “Zërit”, “Pionierit” etj, apo me tregimet. I atyre viteve, më saktësisht e vitit 1979 është, bie fjala, poezia “Sëmundja e dhëmbit”, e shpërblyer në konkursin letrar të “Jetës së re”. Te kjo poezi poeti fton të shërohet etika njerëzore, që është sulmuar nga vemizat e bashkëkohësisë, që përhapen në emër të vlerave njerëzore. Mizoria e fshehur e këtyre kundërprojekteve njerëzore, kishte prekur ndërgjegjen e njeriut të mirë. Ky kundërprojekt nënvizohet jashtëzakonisht bukur me sintagmën poetike “dhëmbi artificial”; subjekti lirik, të cilit i drejtohet zëri i autorit, i ka shkëputur lidhjet me anteizmin jetësor, sëmundja etike s’është zhdukur, shëmtia e saj është mbuluar me një vel mashtrimi. Poetit i mbetet vetëm ta evokojë fëmijërinë.
Përgjithësisht, te vëllimi i parë “Ku i la lisat era” i Sabit Rrustemit, do të ndeshemi, në radhë të parë, me një shprehje të dendësuar poetike, me koncizitetin e thënies, me një strukturë tekstore që i rri afër formulës poetike. Një mënyrë e tillë e shprehjes, përfaqëson zotëruesen ideostilistike të këtyre poezive. Nga ana tjetër, ndërfutja e shprehjeve dhe e fjalëve anekdotike në botën e poezisë, rikrijimi i tyre dhe shkrirja e natyrshme në strukturën poetike, sendërtojnë poetikisht rezonanca të reja kuptimore dhe emocionale, sikurse ka vepruar, kësaj radhë, poeti me shprehjen “ku i la lisat era”. Poeti, një organizim të tillë gjuhësor dhe të strukturës së tij, e mbështet në ligjërimin anekdotik, i cili i shquan nga ana stilistike dhe shumë krijime të poetëve të sotëm.
Poezia “Ku i la lisat era” (f., 12), titullin e të cilës e ka edhe cikli i parë i poezive, nuk është ndonjë program a manifest poetik. Poeti, si kurorë të tij të shprehjes, aktivizon një lojë fjalësh nga të cilat, të shpeshtën, lindin formulat anekdotike, fjalët e urta etj: aktivizon një “lojë fjalësh” gati të paartikuluar, një shprehje gjysmë-të-organizuar: “era alalis a slalis”. Po ta parafrazonim Viktor Shklovskin, kjo është një shprehje e çrëndomtësuar. do të thoshim. , është një shprehje e shprishur, asimetrike, e cila, duke u qartësuar, nyjëtuar e shpërndërruar së brendshmi, merr konturat e saj të plota: KU I LA LISAT ERA.
Pra, ligjërata poetike, e thurur mbi bazën e kuvendimit anekdotik, sjell një kontekst të begatshëm kuptimesh e interpretimesh. Në emër të kolektivietit (të poezisë) flet folësi lirik, i cili komenton rrjedhën e “ndryshimeve” dhe, i cili, përveçse është vetëdije poetike-gjuhësore e poezisë, është edhe ndërgjegje e zgjuar e saj; kolektiviteti (mund të lexohet: populli) pushton hapësira të reja, kohët i ndryshon në favor të tij, realizon vetëqenien, pasi shembi autokratizmin e kohës.
Kjo vetëdije e zgjuar kolektive te poezia “Roja e malit”, është e ndërgjegjshme për rrezikimin e malit.
Në vitet ‘90 Sabit Rrustemi do t’i botojë edhe vëllimet poetike “Besoj në një diell” -Fjala 1992 Prishtinë, “Variacione për lirinë”- Rilindja, 1997, Prishtinë, si dhe dy vëllime me tregime “Pika e zezë” – Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1993 dhe “Maska e mysafirëve” – SH.B. Buzuku, Prishtinë, 1997. Te libri i dytë poetik “BESOJ NË NJË DIELL”, poezitë janë krijime të shkruara mes viteve 1978 – 1991, shumica të publikuara në shtypin e kohës, në revistën për të rinj “Zëri i Rinisë”, në “Fjala”, revistë letrare, në “Bota e re” gazetë e studentëve të Universitetit të Prishtinës si dhe në gazetën “Rilindja”. Përkitazi me poezitë e botuara gjatë viteve ‘80, autori jep dhe një shpjegim:
“Deri më 14 prill 1981, poezitë e botuara, që të gjitha, janë publikuar me emrin tim. Pas kësaj date, nga viti 1984 -1987, kam publikuar me dy pseudonime një pjesë të këtyre poezive përmes “autorëve” Kurt Rexha dhe Isa Ajeti, meqë isha dënuar padrejtësisht nga autoritetet e asaj kohe, shkaku i një tregimi të publikuar me 1 prill 1981 në revistën FJALA për kinse përshkrimin e demonstrative të vitit 1981, a në realitet ishte një koincidencë rasti. Mediat e asaj kohe deri në vitin 1990 nuk patën guximin t’i publikonin me emër e mbiemër timin punimet e mia, edhe pse nuk ekzistonte ndonjë vendim gjyqësor që ma ndalonte një gjë të tillë. Ndalesat ( jo vetëm për mua) vinin në shprehje përmes qëndrimeve politike t ë ish LKJ-së.”
Dëshmi se nuk kishte ndodhur ky çlirim i brendshëm i lëndës letrare dhe i përmbajtjeve të çliruara, është tregimi “”Nën maskën e mysafirëve”, të botuar në revistën “Fjala” më 1 prill të vitit 1981, kur po ndodhnin demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë. Një tregim ë trazoi rrethet politike e të censurës letrare, të cilët nuk pranonin ende një çlirim nga receptet e dogmës letrare. Një tregim po sfidonte haptas jo vetëm letërsinë, por sidomos politikën! Ndodhi burgosja e shkrimtarit, me katër vite dënim me burg, ndodhi për disa vjet edhe ndalimi i botimeve dhe i krijimtarisë. U desh të vinte viti ‘90, kur plasën rrathët e ndalimeve totalitare dhe kur letërsia shqipe po vinte me një zë të ri, me zërin e saj të çliruar nga shumë pikëpamje: nga ajo estetike, po edhe nga ajo tematike.
2. Kodi estetik dhe etik i artit poetik: rrugëtimi nëpër katër dekada
Sado që ka botuar vëllime me tregime, apo dhe ndonjë libër të letërsisë dokumentare apo anekdotash, Sabit Rrustemi është i njohur si poet. Porse edhe poezitë e tij, edhe tregimet e tij, ky krijues parapëlqen që ta thadrojë atë poetikën e thuknisë; aty ku me pak fjalë të thuhet më shumë; aty ku zhurma mënjanohet me dendësinë urtake e figurative të thënies eliptike, fine, të pastër. Zaten, edhe poezia e tillë, edhe tregimi i tij letrar, që në zanafillat e saj, e ka pikësynuar mjeshtërinë e fjalës. Mund të ndodhin sa të duash eksperimente klasike, moderne a postmoderne; porse thelbi mbetet po ai: i të kuptuarit të thënies artistike si veprim i mjeshtrit në punë të artit.
Duke pasur parasysh që shumë poezi (edhe të këtij libri) janë të shkruara që në vitet ’80 të shekullit që e lamë pas; pra, në periudhat më të bujshme e më shpërthyese të historisë sonë më të re, me thyerje e kthesa të shumta; me larushinë e përvojave poetike; edhe poezia e Sabit Rrustemit i shqipton këto thyerje-përvoja që u përplasën edhe në qenien e poetit me tërë furinë e tyre. Hapësirat e këtyre ndodhive, sidomos te librin e fundit, bëhen burime të pasura frymëzimi për t’i njohur më mirë shumë anë të jetës e të botës së brendshme të njeriut; poeti tashmë i kishte të thelluara e të zgjeruara hapësirat shpirtërore për t’i krijuar raportet e tij ndaj të bukurës dhe vlerave.
Dhe në këtë rrugëtim disa-dekadash, poeti pa kursim e ka dhuruar flakën e tij të brendshme të fjalës dhe ato thesaret e brendshme të zemrës; dhe prapëseprapë poeti mbetet se mbetet peng i fjalës; asnjëherë i kënaqur nga vetvetja. me atë përmasën e këtij dhurimi poetik, ku identifikimi i qenies së poetit me Tjetrin, me lexuesin, shfaqet qenieplotë.
Një ditë do dal përfundimisht
Nga varri i heshtjes
Për t’jua dhënë kumtin
Që prisnit prej meje
S’ka tjetër thesar në këtë botë
Kot gërmoni
Thesari i vetëm që fshihet në mua
Ishte dhe mbeti dashuria
Porse poeti, që nga libri i parë e deri te ky i fundit, e ka edhe kodin e tij etik, atë grishjen e brendshme të ndërgjegjes e që na shfaqet si rregullator i këndvështrimeve njerëzore e poetike; si forcë lëvizëse e refleksioneve lirike, një si vlerë definitive që përcakton dhe i jep zgjidhje thelbit të ekzistencës, është ai çelësi që i jep kuptim rrjetit të begatshëm të emocioneve, shkëndijëzimeve lirike kundruall një kaosi shoqëror, kaosi nacional dhe kaosi shpirtëror që na u shfaq në kohën që po jetojmë dhe që nuk kalon edhe pa pasojat e një zjarrmie, sikundër shprehet metaforikisht poeti. Prandaj, nuk ke se si të mos i ndiesh edhe kulmet e këtij shqetësimi, ankthi, tronditjeje a ëndrre të rëndë. Dhe poetit, kundruall këtij kaosi plot zjarrmi, i duhet ta mbajë këtë ekuilibër të brendshëm me mendjen e kthjellët, me kthjelltësinë e gjykimit, dhe, mbi të gjitha, me dehjen e kthjelltë lirike. “Frymëzimi është një dehje e kthjelltë” thoshin hindusët e moçëm.
Me krijimtarinë e Sabit Rrustemit ka një paradoks në mes: i njohur te lexuesit që në vitet ’70, i afirmuar që student si poet, ai nuk arrin të botojë vëllimet e tij poetike gjatë atyre dekadave; publiku e njihte si autorin e tregimit që e dërgoi në burgje! Dhe sado që ka botuar vëllime zhanresh të ndryshme, vokacioni kryesor i tij mbetet, megjithatë, poezia.
3. Tregimi ose katarza e ripërtëritjes së qenies nëpër kohë
Në vitet ’80 poeti e kishte të gatshëm vëllimin e parë “Ku i la lisat era”, kohë kur po i botoin librat e tyre poetikë një gjeneratë e re që po hynte në poezinë shqipe, si Basri Çapriqi, Adem Gashi, Abdullah Konushevci, Sali Bashota, Ibrahim Berisha, etj. Në atmosferën letrare të atyre viteve, sado që ishte larguar nga skena e jetës letërsia socrealiste, sado që dukej se letërsia i ishte shmangur nevojave të dirigjimit politik e ideologjik; megjithatë ende nuk kishte ndodhur edhe një çlirim tematik. Ishte dëshmi dhe tregimi që e përmendëm më lart.
Dhe, kur vijnë vitet ’90, kur po shembej jo vetëm një shtet artificial, si ish-Jugosllavia, ishte koha kur po riktheheshin në skenën letrare shkrimtarët e ndaluar. Kësisoj, Sabit Rrustemi hyn në plejadën e shkrimtarëve tanë edhe si tregimtar i mirëfilltë, me vëllimet “Pika e zezë” (1993, Shkup), “Maska e mysafirëve” (1997), “Mëkatë që (s)e bëmë” (2016), një përzgjedhje tregimesh nga opusi i deritashëm i këtij shkrimtari nga ana e studiuesi i Anton Nikë Berishës dhe “Hiri i pritjeve të djegura”.
Shkrimin e e tij në prozë e përplotësojnë edhe zhanret tjera, si kundër janë tregimet popullore “Stina e meseleve” që deri më tash doli në dy vëllime, dhe proza dokumentare “Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës” (1994).
Te dy vëllimet e tregimeve që u botuan gjatë viteve ’90, vjen e njëjta nervaturë stilistike-tematike nga lirika. Thurjet e tregimit kapërcejnë kornizat e një rrëfimi tradicional, por ato ngërthejnë dhe tisin e tragjikes, dhimbjes, kujtesës së ndodhive dhe luftërave, sikundër na e sjell këtë proza “Pika e zezë”, gjithnjë me strukturime moderne, ku rrëfimi vjen pothuajse si një pakt faustian, ku shkrimtari e kundron jetën nga afër, në detajet e saj, shkëput një detaj të gjetur dhe e shndërron në krijim artistik dhe ku vilet ajo lëndë, që ka burim përvojën jetësore dhe atë artistike, përgjithësisht aventurën e shkrimit.
Edhe tek tregimet popullore në dy vëllime, ai jepet edhe pas një pasioni tjetër, aty ku shkëndijëzojnë formulat frazeologjike urtake, thesari i kujtesës narrative popullore, mesazhet e thella të përvojës popullore, të veshura me një humor të këndshëm, si dhe mjeshtëria e narratorit popullor.
“Çfarë është shkrimtari?” shtronte pyetjen dikur Soren Kjerkegord. “Është një njeri i pakënaqur që fsheh një dhembje të thellë në zemrën e tij, që kur nxjerr psherëtimën apo klithmën, ato kalojnë butësisht nëpërmjet buzëve, e kjo tingëllon si muzikë e bukur …. Dhe njerëzit e rrethojnë poetin dhe thonë: “Këndo përsëri së shpejti” – kjo do të thotë, ‘Vuajtjet e reja le ta mundojnë shpirtin tuaj, por buzët tuaja janë të tilla, si më parë, sepse kur qan, ai na frikëson vetëm ne, por muzika është një bekim lumturie’.”
Dhe le ta lexojmë gjithë krijimtarinë e tij si një shkrim që çlirohet nga vuajtjet, që e mposht të ligën, si një katarzë për ta ripërtërirë qenien krijuese e njerëzore nëpër kohë e në kohë.
4. Në misionin e kultivuesit të Fjalës së Bukur
Ky bekim i bukur prek edhe anët tjera të jetës. Duke u gjendur në kultivuesin e fjalës së bukur, dhe duke u gjendur me angazhimet e tij në funksion të shquarjes së fjalës së bukur artistike; veprimtaria letrare dhe jetësore e Sabit Rrustemit reflektohet në disa fusha: në atë të letërsisë, në atë të jetës kulturore dhe në atë të veprimtarisë kombëtare, publike e politike.
Kësisoj, ai ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha lëvizjet kombëtare e politike prej viteve ’80 e këndej; në vitet ’90 është shquar me veprimtarinë e tij në lëvizjen e kryengritjes paqësore që identifikohej me emrin e Ibrahim Rugovës, kurse pas luftës ishte këshilltar politik në kryeministrinë e qeverisë së Kosovës (2001-2004), pastaj deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Gjatë vitit 2003 është certifikuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg si vijues i Shkollës Politike të Prishtinës, Gjatë vitit 2009, ka kryer dhe Shkollën për Integrime Europiane në Prishtinë.
Por i gjithanshëm, i pandalshëm dhe shumëplanësh, është veprimtaria e tij në jetën kulturore, jo vetëm si njëri ndër organizatorët e manifestimit “Flaka e janarit” prej viteve ’90 e këndej, dhe si Editor i SHB Beqir Musliu, kryetar i ARS-Clubit Beqir Musliu, Gjilan, organizator i manifestimeve gjilanase si Trekëndëshi poetik, Vjeshta letrare etj e ku qe disa dekada tubon krijues nga e gjithë hapësira letrare e Kosovës, duke vënë, kësisoj, ura bashkëpunimi dhe ura komunikimi. Këtë urë komunikimi e ngërthen simbolikisht edhe sintagma Trekëndëshi poetik i paqes, ku arti kapërcen kufijtë dhe shfaq vlerat universale dhe kombëtare.
Në kuadër të këtyre veprimtarive, do veçuar prezantimet e krijuesve të shquar letrarë bashkëkohorë, të cilat kanë qenë sesione shkencore të nivelit akademik, ashtu sikundër edhe dhënia e çmimit tradicional “Beqir Musliu” për krijues të shquar, i ka dhënë emër jo vetëm Gjilanit, por ka arritur të shndërrohet në njërin ndër çmimet më prestigjioze letrare në hapësirat shqiptare. Me një fjalë, ka arritur që Gjilanin ta shndërrojë në një qendër të rëndësishme letrare e kulturore. Në fakt, emrat e krijuesve të shquar të kësaj ane, si Mirko Gashi, Ali Huruglica, Beqir Muliu, Rexhep Elmazi , Ibrahim Kadriu, Musa Ramadani, Ramadan Mehmeti, Ramadan Musliu, etj. nuk lexohen vetëm në Gjilan. Ata lexohen, studiohen dhe vlerësohen si demiurgë të amshueshëm të fjalës artistike. Mu ashtu sikundër këndon Sabit Rrsutem te librin”Në fytyrën e një gjethi”, kur iu kushton vargje poetëve Tahir Desku e Rexhep Elmazi:
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj ëndrre u bë poet
Apo:
Vargu i poetit
shpirt i gjallë
në çdo kohë
ngroh
Sa herë është shkrirë ai plumb
e s’ka mundur ta ftohë
/Kumtesë letrare, e paraqitur në Gjilan, më 22 dhjetor 2017, me rastin e shënimit të 40 vjetorit të krijimtarisë letrare të shkrimtarit Sabit Rrustemi/