Tahir Arifi, mësimdhënës i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Gjimnazin Natyror “Xhavait Ahmeti” në Gjilan është zgjedhur në mesin e mësimdhënësve më të mirë në Kosovë. Një mirënjohje e tillë profesorit Arifi i është dhënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë që e ka organizuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Është kjo një mirënjohje për punën e palodhshme për më shumë se dy dekada të profesorit Tahir Arifi në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja.
Në fakt për këtë çmim, profesorin Tahir Artifi e ka nominuar Drejtoria Komunale për Arsim në Gjilan dhe ai ka qenë i nominuar për çmimin “Shaban Jashari” edhe atë me rastin e Ditës së Shkollës Shqipe.
Të rikujtojmë se profesori Tahir Arifi, magjistër i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në arsim punon që nga viti 1997 në shkolla të ndryshme të Gjilanit dhe tashti së fundi aktualisht punon në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, duke dëshmuar përkushtim e besim në punën me nxënës, kolegë e struktura drejtuese. Kjo mirënjohje për punën e këtij mësimdhënësi ka shkuar në duart e një mësimdhënësi që e ka merituar, ngase profesori e letrari, Tahir Arifi, e kë merituar plotësisht këtë çmim.
Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar manifestimin e shënimit të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, me ç’rast çmimin tradicional për mësuesin e dalluar e ka marrë mësuesja Shkëndije Jashari nga ShFMU “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ndërsa mirënjohje kanë marrë edhe mësues të tjerë nga të gjitha komunat e Kosovës. /2LONLINE/