Nga Zejnullah Jakupi
Paraloja
Pasi dështoi ose pasi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e shpalli ´Ballkanin e Hapur´ si një nismë rajonale që e përfundoi misionin e saj, e gjithë vëmendja është kthyer nga i ashtuquajturi „Procesi i Berlinit“. Në fakt ky proces nuk ka tërhequr vëmendjen e duhur sidomos nga mediet dhe opozita, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Deri sa BE përkushtohet që Ballkani Perëndimor t´i përkushtohet integrimit evropian, paqes dhe stabilitetit ekonomik dhe politik, në Kosovë polarizohet – inskenohen dhe skandalizohen ngjarjet politike përmes përgjimeve (të ndihmuara edhe nga BIA serbe) për të prishur stabilitetin në vend. Në këtë gracë bie padyshim edhe opozita kosovare.
Gjithashtu marrëdheniet mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës janë përkeqësuar dukshëm. Këtë e dëshmon takimi jo formal i mbajtur në Shqipëri më 17 korrik 2023 i udhëheqësve të Ballkanit Perendimorë, i cili ishte organizuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ky takim jo formal i dedikohej përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, pasi që Shqipëria sivjet e kryeson Procesin e Berlinit.
Në takimin joformal morën pjesë të gjithë kryeministrat e vendeve të tjera të rajonit, përpos kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Në Takim merrte pjesë kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo, si dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, si dhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli. Takimi parapërgatitor kishte për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, të cilat, sipas deklarimeve në medie, pastaj, udhëheqësit e Ballkanit Perendimorë, do t’i paraqesin në samitin e Tiranës.
Këtë vit (2023) Shqipëria është pra, nikoqire e Samitit. Që në fillim erdhën në shprehje mospajtimet politike, sidomos mes Kosovës dhe Shqipërisë. Parësore është tash e tutje që të lihen mënjan zënakt dhe inatet politike dhe të ecet përpara. Duhet thënë poashtu se ´Procesi i Berlinit´ është në të mirë të shqiptarëve, të ballkanasëve dhe gjithë evropianëve. Ky Proces nuk është i emëuar rastësisht si i tillë, sepse ai përbën historinë dhe zhvillimet që kanë ndodhur në Berlin, kryeqytetin e Gjermanisë, pas Luftës së Dytë Botërore.
Procesi i Berlinit
Ideja e emërtimit si ´Proces i Berlinit´ u krijua në vitin 2014 nga qeveria gjermane pikërisht nga ish-kanzelarja Angela Merkel për të promovuar integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, pasi Komisioni Juncker njoftoi se nuk do të kishte zgjerim në pesë vitet e ardhshme.
Qëllimi kryesor i procesit është bashkëpunimi ndërmjet shteteve, forcimi i rajonit dhe me BE-në. Për shkak të luftës së agresionit të Rusisë në Ukraina Procesi i Berlinit është bërë edhe më i rëndësishëm.
Në fakt Procesi i Berlinit pa mëdyshje mund ta quajmë edhe si Procesi i Integrimit europian, i cili ka qenë dhe mbetet një prioritet kryesor për shumë vende në Ballkanin Perëndimor. Shumë prej këtyre vendeve, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë, kanë shprehur interesin e tyre për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Procesi i integrimit ka kërkuar nga këto vende përmbushjen e kritereve të caktuara politike, ekonomike dhe të drejtave të njeriut për të avancuar drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Por, siç dihet, Ballkani Perëndimor po përballet me një mori sfidash, siç janë problemet e trashëgimisë së konflikteve të mëparshme dhe e ka akoma vështirë të ndërtojë një klimë të qëndrueshme të paqes dhe stabilitetit në rajon. Konfliktet e mëparshme, siç ishin ato të viteve ’90, kanë lënë pasoja të rënda në rajon. Procesi i pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ka qenë dhe mbetet tutje thelbësor për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme dhe prosperuese.
Gjithashtu procesi i zhvillimit ekonomik ka qenë dhe mbetet tutje një sfidë tjetër për Ballkanin Perëndimor. Shumë prej këtyre vendeve kanë përballur sfida të mëdha ekonomike, duke përfshirë papunësinë e lartë dhe varfërinë, migrimet, korrupsionin dhe administratën shtetërore jo funksionale. Investimet e huaja dhe reforma ekonomike kanë qenë thelbësore por akoma jo të mjaftueshme për të përmirësuar situatën ekonomike dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillim dhe prosperitet.
Këto dhe sfida tjera janë kruciale që Procesi i Berlinit t´ia dal mbarë me Ballkanit Perëndimor, i cili njëashtu është një kombinim i mundësive dhe sfidave për vendet e rajonit. Integrimi europian, pajtimi dhe stabiliteti politik si dhe zhvillimi ekonomik janë qëllime të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor për të avancuar drejt një të ardhme të ndritshme dhe të sigurtë për popullatën e kësaj zone.
Procesi fillimisht ishte projektuar të zgjaste katër vjet, por ka vazhduar edhe përtej kësaj. Çdo vit mbahen samite të organizuara nga vende të ndryshme të BE-së. Deri më tani ka pasur samite në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018), Poznań (2019) dhe praktikisht janë organizuar nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në 2020 dhe më pas nga Gjermania në vitin 2021. Samiti i vitit 2022 u zhvillua sërish në Berlin.
Ndërsa Samit i radhës, siç thekësuam, do të mbahet më 16 tetor të këtij viti në Tiranë.
Qëllimet e deklaruara të procesit të Berlinit janë: së pari, zgjidhja e problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme në Ballkanin Perëndimor, së dyti, pajtimi brenda dhe ndërmjet shoqërive në rajon, së treti, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së katërti, vendosja e bazave për një rritje të qëndrueshme që nënkupton një bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim politik dhe të sigurisë, bashkëpunim social, bashkëpunim për ndryshimet ekologjike, luftën kundër sulmeve kibernetike (hibride), luftimin e korrupsionit, investimet në energji solare dhe natyrisht edhe zbrapsjen e populizmave në rrjetet sociale, në opinion publik dhe në jetën parlamentare.
Në fushën e bashkëpunimit ekonomik mund të përmenden një numër i madh i projekteve të transportit, si dhe një sërë projektesh energjetike dhe programe të qëndrueshmërisë. Arritje të tjera përfshijnë krijimin e një zone ekonomike rajonale, forumin e investimeve të dhomave të industrisë dhe tregtisë dhe komunitetin e transportit. Kjo e fundit është një organizatë ndërkombëtare e 27 vendeve të BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila dëshiron të promovojë integrimin e tyre në tregun e transportit të BE-së. Sa i përket bashkëpunimit social, një shembull i dukshëm është krijimi i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor. Një shembull i bashkëpunimit për tranzicionin ekologjik janë udhëzimet për zbatimin e Axhendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.
Pavarësisht këtyre arritjeve, shume pak është arritur në përgjithësi në lidhje me katër qëllimet fillestare të Procesit të Berlinit. Nuk është bërë shumë përparim në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme, gjë që është më e dukshme në marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për aktorët të procesit të Berlinit, kjo do të thotë se ata do të duhej të operojnë të përcjellur me një monitorim të vazhdueshëm dhe të bëhej me kohë vlerësimi më rigorozisht lidhur me angazhimet e bëra nga vendet e Ballkanit Perëndimor në raste ekstreme (dhe jo, siç po i bëhet tani padrejtësisht vetëm ndaj Kosovës- sanksionime për sjelljet e saja ndaj Serbisë) duke i vendosur sanksione njëanshmërisht. Është deklaruar se Kosova do të suprimohet nga dhënia e fondeve dhe të përfitimeve të caktuara, pa u implementuar marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt SHBA-te kërkojnë edhe sanksionime të ngjajshme ndaj Serbisë.
Pajtimi brenda dhe ndërmjet shoqërive në rajon gjithashtu ka bërë pak progres dhe akoma nuk dihet se a do të ndikojnë sanksionet pozitivisht në këtë drejtim. Shumë ekspertë tani i konsiderojnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor si më të polarizuara se kurrë, siç është rasti mes Kosovës dhe Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë etj., prandaj në saje të tyre ka ngelur edhe bashkëpunimi ekonomik rajonal i cili ka mbetur i kufizuar. Së fundi, themelet për rritje të qëndrueshme mezi janë hedhur, pasi pabarazitë sociale në Ballkanin Perëndimor mbeten të larta dhe emigracioni shihet shpesh si mënyra e vetme që të rinjtë të bëjnë një jetë të denjë. Pothuajse nuk është bërë përparim as në dekarbonizimin. Situata në këtë fushë pritet të përkeqësohet më tej në të ardhmen e afërt për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe krizës energjetike, pëkundër marrëveshjes në Procesin e Berlinit që kjo të reduktohet.
Katër arsye të identifikueshme pse procesi i Berlinit nuk ka arritur më shumë siç është pritur?
Arsyeja e parë është se procesi në Ballkanin Perëndimor është parë gjithmonë si një zëvendësues i dobët i zgjerimit të BE-së. Edhe pse shtetet anëtare të BE-së nuk kanë deklaruar kurrë një status të tillë dytësor, nuk është thënë kurrë në mënyrë të besueshme se procesi i Berlinit synon të promovojë shtetet me synimin për anëtarësim të mundshëm në BE. Komunikimi i qëllimit përfundimtar mbeti i paqartë. Ndërsa procesi filloi pas shpalljes së pauzës së zgjerimit të BE-së, ishte e pashmangshme përshtypja se ishte diçka si një çmim ngushëllues për rajonin.
Arsyeja e dytë është se Procesi i Berlinit është perceptuar gjithmonë në Ballkanin Perëndimor si diçka e imponuar në rajon nga jashtë, ndërsa është krijuar përshtypja se procesi i Berlinit është një projekt paternalist, në të cilin kursi vendoset nga jashtë dhe aktorët vendas thjesht ndjekin udhëzimet. Emri “Procesi i Berlinit” gjithashtu simbolikisht tregon se procesi po promovohet nga ose për Berlinin dhe jo nga ose për Ballkanin.
Arsyeja e tretë është se procesi i Berlinit injoroi disa nga problemet më të rëndësishme ekonomike dhe sociale në rajon. Pjesa më e madhe e mjerimit ekonomik është për shkak të infrastrukturës së dobët dhe mungesës së investimeve publike, qoftë në rrugë, hekurudha, sisteme të ujërave të zeza, depozitimin e mbeturinave apo prodhimin e energjisë. Mënyra e vetme për të zgjidhur këto probleme është përmes rritjes së investimeve publike dhe procesi i Berlinit po bën shumë pak për të mobilizuar një shtytje të madhe në infrastrukturë.
Po kështu, nivelet e larta të varfërisë dhe pabarazisë sociale në rajon janë për shkak të shpenzimeve të pamjaftueshme publike për mbrojtjen sociale, arsimin dhe kujdesin shëndetësor. Procesi i Berlinit nuk i trajton as këto probleme dhe si rrjedhim nuk i ofron popullatës së re të rajonit ndonjë perspektivë afatgjatë për një jetë të denjë në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë edhe grupeve minoritare siç janë romët dhe grupet tjera të margjinalizuara.
Arsyeja e katërt është se politikanët vendas kishin pak nxitje politike për të vazhduar me projektin. Procesi i Berlinit, si një projekt i fokusuar kryesisht në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, neglizhon ekonominë e veçantë politike të vendeve të vogla dhe të varfra dhe kapacitetet e tyre të kufizuara qeveritare. Nga pikëpamja ekonomike, përfitimi i mundshëm i përmirësimit të bashkëpunimit rajonal të BE-së me Ballkanin Perëndimor është është mjaft i kufizuar: edhe nëse shtoni produktin e brendshëm bruto (PBB) të të gjithë rajonit, ai nuk arrin as gjysmën e PBB-së së Republikës Çeke – rreth tre për qind të asaj të Gjermanisë.
Çfarë duhet bërë? Katër rekomandime për ta bërë procesin të funksionojë më mirë?
Megjithatë, e gjithë kjo nuk do të thotë se procesi i Berlinit është i padobishëm dhe duhet të anulohet. Është kushtuar shumë kohë dhe përpjekje për të dhe procesi në fakt ka pasur disa suksese. Prandaj, rruga përpara duhet të jetë eliminimi i dobësive të mësipërme të projektit të përgjithshëm dhe zhvillimi i një versioni të rishikuar të tij.
Ndryshimi i parë i madh duhet të jetë emërtimi zyrtar i mbështetjes dhe përshpejtimit të pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si qëllimi i parë dhe më i rëndësishëm i procesit të Berlinit. Përndryshe, procesi do të vazhdojë të perceptohet si një zëvendësues i lirë për anëtarësimin në BE, i cili gjithashtu do të dëmtojë atraktivitetin e tij për politikanët vendas, vendimmarrësit dhe palët e interesuara, si dhe publikun e gjerë.
E dyta, risia e lidhur duhet të jetë se procesi nuk fokusohet vetëm tek aktorët nga Ballkani Perëndimor, por edhe tek aktorët nga BE-ja. Në kuptimin simbolik, është “Berlini” ai që duhet të bëjë më shumë në këtë proces. Arsyet për progresin e ngadaltë dhe të pakënaqshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE nuk janë vetëm në Ballkan. Lodhja nga zgjerimi i shumë njerëzve në BE dhe problemet e brendshme të Bashkimit nuk kanë të bëjnë vetëm me Ballkanin Perëndimor. Në këtë rast, vendet e Ballkanit Perëndimor pësojnë dëme kolaterale dhe paguajnë çmimin edhe për gabimet e të tjerëve.
Prandaj, procesi i Berlinit duhet të fokusohet gjithashtu në përmirësimin e vullnetit për zgjerim midis vendeve anëtare ekzistuese të BE-së dhe heqjen e pengesave të mëtejshme që dalin nga ana e tyre. Si vendet udhëheqëse të Bashkimit, Gjermania dhe Franca duhet të përdorin peshën e tyre politike në një proces të koordinuar për të vendosur piketa konkrete për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Nga ana tjetër, ato duhet të sigurojnë edhe burimet financiare përkatëse për një shtytje të madhe të investimeve në infrastrukturë në rajon.
Për më tepër, është e rëndësishme që vendet anëtare të BE-së të kuptojnë se është gjithashtu në interesin e tyre të mbyllin një ‘vrimë të zezë’ ekonomike dhe politike në zemër të kontinentit evropian. Në veçanti, fqinjët e BE-së rreth Ballkanit Perëndimor duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të përmirësuar situatën e tyre ekonomike dhe politike duke mbështetur Ballkanin Perëndimor në zhvillimin e tij në tregun e përbashkët, nga i cili mund të pritet një nxitje e fortë ekonomike rajonale bazuar në përvojën e valëve të kaluara të anëtarësimit. Roli i vendeve anëtare më të zhvilluara të BE-së do të ishte gjithashtu të bëjnë më shumë për të ndihmuar administratat në Ballkanin Perëndimor për të menaxhuar procesin e anëtarësimit nga pikëpamja teknike, siç kanë bërë më parë në rastet, për shembull, të Bullgarisë dhe Rumanisë, veçanërisht për arsye të interesit politik.
Ndryshimi i tretë lidhet me idenë se procesi i Berlinit duhet të ofrojë mbështetje më të madhe financiare për rajonin në mënyrë që rajoni të zhvillohet ekonomikisht dhe pabarazitë sociale të ulen. Kjo mund të arrihet më së miri duke përfshirë plotësisht Ballkanin Perëndimor në procesin buxhetor të BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Në këtë mënyrë, fondet që Ballkani Perëndimor merr nga BE-ja do të rriteshin me një faktor dy deri në tre, gjë që do të kishte një ndikim të madh në të ardhurat në rajon, ndërsa do të përbënte një sasi të papërfillshme për anëtarët e themeluar të BE-së. Nëse kjo nuk është e mundur, procesi i Berlinit dhe aktorët e tij kryesorë të BE-së (dhe ndoshta palë të tjera të interesuara si Norvegjia, Zvicra apo Japonia) duhet të ofrojnë një pjesë të mbështetjes së tyre për investimet në infrastrukturë në rajon dhe për rritjen e shpenzimeve sociale. Kjo duhet të plotësojë instrumentet ekzistuese të investimeve siç është Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Fusha e katërt për përmirësim duhet të fokusohet në përfshirjen e aktorëve lokalë në procesin e Berlinit, siç ishte nisma e fundit lokale „Open Balkan“ e cila si e tillë kishte po këtë qëllim. Ndonëse nisma nuk ishte pa probleme, veçanërisht për shkak se nuk mbulonte të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, por vetëm tre prej tyre, ajo kishte një avantazh të qartë ndaj procesit të Berlinit: ajo ishte në pronësi dhe e udhëhequr nga aktorët lokalë, dhe politikanët dhe politikëbërësit e Ballkanit si Edi Rama dhe Aleksandër Vuçic, të cilët ishin shumë më të përkushtuar ndaj saj sesa ndaj çdo nisme tjetër.
Në të njëjtën kohë, duhet të jetë e qartë se të gjitha përpjekjet duhet të synojnë përfundimisht miratimin e acquis communautaire të BE-së dhe përkushtimin për sundimin e ligjit, bazën për bashkëjetesë paqësore dhe të bazuar në rregulla dhe shpresohet edhe bashkëpunim të frytshëm.
Së fundi, lufta e vazhdueshme në Ukrainë duhet të shërbejë si një kujtesë se bota mund të jetë duke u rikthyer në një Luftë të re të Ftohtë – një konflikt sistemesh globale për dominim global me një seri luftërash të ndërmjetme në fajin e dy blloqeve konkurruese të sistemeve demokratike dhe autokratike. Është në interesin më të mirë të Evropës që të mos bëhet arena kryesore e këtyre konflikteve.
Aktivitetet e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë një thirrje zgjimi për politikanët evropianë. Kina po investon shumë në projektet e ndërtimit të infrastrukturës në të gjithë rajonin në funksion të interesave të saj gjeoekonomike. Në vitin 2019, Kina dhe Serbia madje zhvilluan stërvitje të përbashkëta policore. Rusia ka nën kontroll furnizues të rëndësishëm të energjisë në rajon. Turqia dhe shtetet e Gjirit janë gjithashtu të përfshirë, megjithëse në një masë më të vogël. Evropianët duhet të gjejnë shpejt një zgjidhje politike për problemin politik të këtij rajoni të rrezikuar nga lufta të Evropës Juglindore, për të parandaluar fuqitë e huaja që të vendosin bazat e tyre në qendër të Evropës. Meqenëse zgjerimet e mëparshme të BE-së kishin edhe një dimension të fortë politik, anëtarësimi në BE është thelbësor për zhvillimin paqësor për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe nëse ai zhvillohet në një proces me faza dhe, në fazën e parë, përfshin kryesisht hyrjen në tregun e brendshëm dhe sistemin e transferimit të BE-së.
Fokusi duhet të jetë i drejtuar tutje në bashkëpunimin rajonal për të përshpejtuar miratimin e acquis communautaire, marrëveshjet e lëvizshmërisë të lidhura në samitin për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në Ballkanin Perëndimor, të cilat janë jashtëzakonisht të mirëseardhura. Këto lejojnë udhëtimin me karta identiteti brenda rajonit dhe njohjen e kualifikimeve në fushën e arsimit të lartë dhe atij profesional.
Për më tepër, duhet theksuar se Komisioni i BE-së është i përgatitur të paguajë gjysmë miliardë euro në mbështetje buxhetore afatshkurtër për të mbështetur familjet dhe kompanitë me qëllim zbutjen e krizës energjetike në rajon. Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, një gjysmë miliardë euro të tjera do të vihen në dispozicion nëpërmjet WBIF (Western Bank Investment Framework) për diversifikimin e furnizimit me energji. Megjithatë, duhet theksuar këtu se ky nuk është një zëvendësues i vlefshëm për rritjen e vazhdueshme të ndihmës së BE-së për Ballkanin Perëndimor, me qëllim që ta çojë rajonin nga mjerimi i tij ekonomik dhe politik në terma afatgjatë.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve i Ballkanit Perëndimor
Ky plan parashikon mobilizimin e granteve deri në 9 miliardë euro gjatë shtatë viteve të ardhshme dhe kredive deri në 20 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Fokusi është në projektet kryesore në fushat e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital, lëvizshmërisë inteligjente, energjisë së qëndrueshme, mbështetjes së sektorit privat dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor për të ndihmuar në uljen e hendekut socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Deri më tani, sipas këtij plani, janë nisur 24 projekte investimesh në shkallë të gjerë në fushat e transportit të qëndrueshëm, tranzicionit të energjisë, kapitalit njerëzor dhe menaxhimit të mbetjeve me grante totale të BE-së prej 1.2 miliardë euro përmes WBIF, të cilat duhet të mobilizojnë investime deri në 3.4 miliardë euro në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.
PS: Analiza ime është mbështetur kryesisht tek autorët Branimir Jovanoviq dhe Dr. Mario Holzner nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIIW). /2LONLINE/