(2LONLINE) – Habia më e madhe për njeriun është koha. Ajo që s’e kapim. Nuk e shohim as kur “ikë”, as nuk e prekim kur na përshkon. Ditë pas dite dhe natë pas nate, orë, madje minutë e pas çdo çasti fishkëllinë. Një tikë-take sa vlershëm! Ato rrahje vlejnë për një rmbushje me punë. Për një çmim që ne e marrim nëpër kohë. Dhe për gjithë këtë ecuri, nuk gjejmë shprehje dhe mundësi ta vijëjzojmë e ta përcaktojmë për një artikullim të vërtetë. Kështu na gjasojnë gjërat pas nesh. Duket se kanë marrë gjurmët dhe ndiesitë e brezit tonë. Pra, dhe brezi që është e që po vjen.
Këtë na ka mundësuar brezi para nesh, e brezi tjetër para tij, e breza të tjerë që kanë bjerrë kohën në mënyra të ndryshme. Madje edhe luftëtarë e trima për vende të huaja, historia po na rrëfen.
Dhe sot, ikë koha dhe ne ikim. Themi, nuk ka kohë! Ajo po ecë dhe ne nuk e zëmë. Sa duhet asgjë s’po bëjmë. Një përgjigje na vjen shpesh – Kam shumë punë. Planet s’po përmbushen. Premtimet i kam bërë moti. Mund të smurem e të mbetëm as i gjallë as i vdekur. Mundem nesër të vdes krejt. Kështu ka ndodh edhe me të tjerët, gjeneratë pas gjenerate. Eh, pra, koha…! Të rriti e të bëri burrë. Të hidhëroi, e ndoshta edhe të lumëroi?! Të la në një kënd të kësaj bote. Një si pikë oqeanike. Ti prite e prite, përditë e për natë…Dhe pritjen nëpër kohë e ruan vetëm shpresa!
*
E mora sot një letër, kësaj radhe më thanë si për mashtrim mashtruesit se, s’ishte në adresë time. Se nuk thirrej në emër timin. Megjithatë, ajo ishte pikërisht edhe në adresë e me emër e mbiemër timin. E kapa me duar të mia dhe desha ta shoh, sa për ta vërtetuar ku është fjala, ku gjendemi dhe kah duhet të vijojmë rrugën. Apo ndoshta, asnjë herë pa ditur se nga është kahe e jonë, do të mbetemi riciklues në rreth. Apo ndoshta, ndoshta, derisa ta mësojmë nismën e sokakut të ngushtë, nuk do të kemi asnjë dalje. Sikur kjo kohë s’na premton më shumë. Do të thotë, jemi vonuar dhe do të vonohemi edhe më tepër. Sido qoftë letrën dua ta lexoj si të tillë në heshtje:
“I dashuri babë!
Sot, në pasditën time monotone, si në burg, që ende nuk e di çka është ai farë burgu, ndodhem i vetmuar. Në të vërtetë, unë jam në mesin e disa familjarëve në dhomë, por sikur nuk kam kontakt me asnjërin. Sikur nuk dëgjoj as çka flasin e për çka qeshen, herë-herë shumë ëmbëlësisht.
Unë kam marrë stilolapsin dhe fletën e bardhë që të shprehem me disa fjali vetëm ty. Ndoshta, ti nuk do t’ia thuash nënës të gjitha. Unë jam shëndosh e mirë, por statusi im vijon edhe më njësoj. Nuk guxoj të tregohem as fizikisht askund në vende publike. Koha më shkon me vështirësi. Njeri i pa punë, por edhe i pa vlerë. Vetëm si një numër. As nata e as dita nuk di kur fillojnë e kur mbarojnë. Gjithnjë si i përgjumur. Si i pa ndjesi për natyrën dhe njerëzit rreth meje. Drejt të them, mirë më ushqejnë, veshë e mbath kam sa të dua, megjithatë, nuk më pëlqen asgjë. Jam i mësuar kaherë, qysh kur isha atje në qytetin tonë, në atë dyqanin që herë më paguante diç, e herë i shpenzoja para kohe edhe ato që më takonin. Po isha me shokë të mi.
Ngrihesha nga gjumi në kohë, në kohë isha i angazhuar të filloja punën. Kur kthehesha në shtëpi, te dera ia ndieja erën dhomës së familjes, …sa më ka marrë malli…për të gjithë e sidomos për nënën, që unë s’i tregoj kurrë sa kam qarë pa praninë e askujt. Dhe, po të them çiltas, më ka marrë malli edhe për sokakun, për faltoret e qytetit, për gurët e ronitur e pluhurin te pazari. Qyteti ku banoj është dhjetë herë më i mirë e më i pastër se i joni, por…atje kam lindur, kam qeshur lirisht.
Eh, sa i dëshiroj edhe ato mbesat e vogla! Me vullnet do t’isha kthye në shtëpi. Po, ç’me bë, kur koha jonë po shkon…duhet të planifkoj familje, as vëllazërit para meje nuk janë të punësuar. Gjithashtu, edhe ata nuk kanë krijuar familjet e veta. Nuk ka vend as nuk ka kushte për të krijuar familje të re! çdo gjë shkon me kohën. Shkollimi s’na vlejti gjë as i mesmi as i larti. Këtë e dini ju dhe kolegët që keni mbetur si “recka” rruge. Numri i vjetëve është rritur e po rritet. Unë kam dëgjuar nga ti dhe nga gjyshi për kurbetin, po tash po bindem se nuk është gjithçka lehtë.
Si duket mbi tetëdhjetë për qind shqiptarët kanë qenë kurbetçinj. Ende është një pjesë e madhe nëpër këto vende të Evropës. Nuk dua më t’u lakmoj për shtëpitë e ngritura e as standardin nga puna e kurbetit të hidhur. Po më keq t’u lakmosh si atyre të asaj lagjës së qytetit tonë që, kanë bërë gjithë atë standard e lux me korrupsion e dallavere tjera, krejt pas lufte.
Babë, unë nuk di e as që mundem më të shkruaj diç tjetër se, fryma po më merret, veç kisha me t’u lutur, edhe pse nuk të kam pyet kur kam ardhë këtu në këtë vend, çka do të më ndihmosh të punësohem diku në qytetin tonë? Pres përgjigje të saktë. Me njëherë do të kthehesha. Ju përshëndes të gjjithëve. Përshëndetni edhe shokët…! shpresa më mban andej e këndej, e më shumë atje. Ky qëndrimi im në këto vende, po më çmend. Koha po shkon si nëpër mjegull!”
Gjithashtu, dhe unë nuk dua ta lexoj asnjë shkronjë më, edhe sikur kjo letër të kishte më tepër!
/SHEFIK SHKODRA/