(2L ONLINE) – /Reportazh nga Takimet e Vendlindjes – Priboci 2014/ Në vendin e quajtur “Te kisha”, më 10. 08. 2014, u mbajt Takimi i Vendlindjes – Priboci 2014. Automjete e traktorë të mbushur me banorë të ndjekur e të shpërngulur, në periudha të ndryshme kohore, të fshatit Priboc, sot kanë ngjallur fshatin duke iu bashkangjitur edhe dy familjeve që janë duke jetuar atje: Hafiz Musliu e Hamdi Krasniqi. Ata kanë dalë në vendlindjen e tyre për t’i takuar bashkëfshatarët e vet, të afërmit, fqinjët e miqtë e dikurshëm, për të zhvilluar aktivitete kulturore e për të vallëzuar e së bashku. Kanë dal për t’i vizituar shtëpitë pronat e tyre, varrezat e të parëve. Dhe kjo ditë, sot, vërtet të kujton ditët e dikurshme me plotë gjallëri, me shkollën plot nxënës, me dasmat e zhvilluara në mënyrë tradicionale, ndeja e gëzime të tjera.
Shkruan” Ismet TAFILI
Për shkak se Priboci shtrihet në pjesën e territorit të cilën e administron Serbia, dhe për shkak të rrugës së pa asfaltuar prej Muhoci në Zarbicë, si gjithmonë edhe këtë vit janë paraqitur pengesa në qarkullimin e lirë. Në pikën kufitare në Muhoc, nuk lejohet të kalojnë autobusë dhe automjete me targa të Kosovës, derisa, pothuajse, shumica e banorëve që jetojnë në Kosovë, kanë automjete me targa të Kosovës, e një pjesë kanë edhe letërnjoftime, po ashtu të Kosovës.
Mirëpo, banorët e fshatit duke qenë të vendosur të vazhdojnë traditën e mbajtjes e Takimeve të Vendlindjes, edhe pse policia kufitare e kthen prapa autobusin dhe automjetet tjera me targa RKS-, kanë gjetur forma tjera të transportimit nga Muhoci deri në Priboc. Ata me traktorë, automjete me targa të Bujanocit, me targa të shteteve të jashtme e këmbë kanë arritur që të dalin në fshat e të mbajnë Takimin e Vendlindjes –Priboci 2014.
Livadhet e gjelbëruara, pak më larg misëri i mbjellur nga familja e Hafiz Musliut, hijet e freskta të pemëve dhe drunjtëve, grumbujt njerëzve që janë ulur nën hije për të pushuar nga rruga, përqafimet e shtrëngimet e duarve të bashkëfshatarëve tingujt e tupanit dhe zurnasë, vallet e burrave e më pastaj vallet e vajzave, gjithsesi të kujtojnë fshatin e dikurshëm me banorë plot.
Pasi lodhen duke vallëzuar, Këshilli i fshatit i thërret të gjithë banorët që të ulen e të bisedojnë për problemet e fshatit e për mundësit e zgjidhjes së tyre në të ardhmen. Të gjithë si në sofrën e madhe, të ulur pranë njëri tjetrit, fillojnë bisedën natyrshëm duke shfaqur idetë e tyre për shumë probleme e brenga që ka fshati.
Bisedën i pari e fillon Hafiz Musliu, plaku plis bardhë i cili nuk e ka lëshuar vendlindjen për asnjë çast. Pasi u uron mirëseardhje në fshat thotë se, ne që jemi duke jetuar, jo vetëm në fshatin tonë, po ballafaqohemi me mungesën e infrastrukturës, rrugore, me kujdesin shëndetësor, ngase po qese na sëmuret ndonjë anëtarë i familjes apo edhe ndonjë nga bagëtitë që i kemi, deri sa ta dërgojmë në Bujanoc apo në Gjilan e Kamenicë, mund të ndodhë edhe më e keqja. Po ashtu ai tregon se, këtë vit seksioni i pyjeve ka lejuar prerjen e malit të pronës shoqërore edhe nga tregtarët privatë. Dhe këtë mundësi, njerëz të pandërgjegjshëm: tregtarë serbë si dhe ndonjë dorë “ndihmëtare” shqiptare për interesa personale, po e dëmtojnë pyllin e fshatit tonë, e ndonjëherë duke mos e njohur terrenin mirë, po prenë dru edhe në pronat private. Mendojmë se ky dëmtim i kësaj pasurie të fshatit tonë, mund të jetë presion ndaj familjeve që janë duke jetuar këtu në fshatin tonë , po edh enë fshatrat tjera të Malësisë së Bujanocit. Po ashtu ata janë të shqetësuar, është se disa lisa të prerë janë bartur edhe nëpër varre të lagjes së Kekajve. Këtë e pohoi edhe Hamdi Krasniqi, i cili shtoi se është mirë të shikojmë mundësinë e ndërprerjes së këtyre rasteve, duke thënë që mundësisht, të angazhohet më shumë edhe Këshilli i fshatit në sensibilizimin e këtij problemi, pasi ne këtu jemi vetëm dy familje.
Për problemet e fshatit folën edhe Ramadan Ramadani, Ismet Tafili, Shabi Sadiku, Meafil Sadiku, Xhavit Selmani, Mefail Jonuzi, Baki Krasniqi etj.
Në këtë rast edhe disa bashkatdhetarë kontribuuan edhe me mjete financiare për fondin e fshatit.
Banorët nuk patën rast të dëgjojnë mendimet dhe mundësitë që i ofron komuna, pasi nuk ishte prezent asnjë nga zyrtarët komunal.
Programi i manifestimit u plotësua edhe më tej me vazhdimin e programit kulturo artistik: me valle, lojë futbolli e lojëra tjera.
Po ashtu një kohë banorët e shfrytëzuan për vizita shtëpive dhe varreve të parëve anembanë fshatit.
Si duket banorët e fshatit Priboc nuk mund ta harrojnë aq lehtë fshatin e tyre dhe i tërheq diçka si megnet edhe për faktin se ky fshat është një vendbanim i vjetër Dardan. Këtë e kanë pohuar ekipi i hulumtimit të Trashëgmisë Kulturore: Xhemaledin Salihu, Nehat Ramizi, Rexhep Kadriu, Musli Limani Argëtim Emini, Mustafë Ahmedi, Bardh Mehmeti e Nexhati Rrustemi, në ekspeditën hulumtuese që e kanë bërë, më 30. 10. 2013 në Priboc. Posaçërisht, hulumtuesi kryesor dhe numizmologu Rexhep Kadriu ka pohuar se ky vendbanim daton nga shek XII-IX para erës sonë. Këtë mbetet ta vërtetojnë, në të ardhmen, gërmimet arkeologjike dhe profesionistë e kësaj fushe.
Një dëshmi tjetër e banimit të hershëm të këtij fshati është edhe guri mbivarrezor, i vetmi i ruajturi deri më tash, i datuar nga viti 1780 (1202 sipas Hixhrit) (besoj se ka pasur edhe të tjerë shumë më të hershem, I.T.)
Priboc, Gjilan, 11. 08. 2014