Qendra Kujdesit Ditor – Pema në Gjilan prezantoi sot para Teatrit të Qytetit, koleksionin e veshjeve tradicionale të punuara për kukulla, nga duart e arta të fëmijëve të kësaj qendre
Përmes këtyre punimeve, PEMA ka vazhduar iniciativën e ndërmarrë më herët, për pasurimin e Muzeut Etnologjik të Gjilanit.
Këtë herë, kjo iniciativë është pjesë e projektit “Qasja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në aktivitete kulturore dhe krijuese”, të mbështetur nga Komuna e Gjilanit, përmes Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport – Gjilan.
Majlinda Ibrahimi, Koordinatore ka bërë me dije se krijimet e bukura pasurojnë trashëgiminë kulturore të Komunës së Gjilanit.
“Punimet e prezantuara gjatë ditës së sotme, pasurojnë trashëgiminë kulturore të Komunës së Gjilanit. Këto veshje janë produkt i një punëtorie dy-mujore me pjesëmarrjen e fëmijëve nga PEMA, të cilët janë trajnuar më parë në rrobaqepësi dhe punë artizanale nga OJQ Gruaja Hyjnore”, thotë Ibrahimi.
Sipas saj, duke i dhuruar Muzeut të Qytetit këto veshje tradicionale, PEMA jo vetëm po kontribuon në trashëgiminë kulturore të Komunës së Gjilanit, por ka dërguar edhe një mesazh të fuqishëm për komunitetin.
“Ne po festojmë veçantinë dhe aftësinë artistike të këtyre fëmijëve, duke i kujtuar të gjithëve se kontributet e tyre janë të vlefshme dhe meritojnë të vlerësohen. Këto veshje kukullash shërbejnë si simbol i kreativitetit dhe shpirtit të palëkundur që banon brenda çdo fëmije”, ka thënë koordinatorja e Qendrës së Kujdesit Ditor – Pema, Majlinda Ibrahimi. /2LONLINE/