Konferenca e hapjes së edicionit të 10-të të Javës së Gruas u organizua këtë vit nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani- Sadriu.
Presidentja Osmani e hapi edicionin e këtij viti me një fjalim përmes së cilit i adresoi pjesëmarrësit duke potencuar rëndësinë e gjithpërfshirjes për garantimin e demokracisë. Gjersa, në ditën e dytë, Presidentja Osmani ishte prezente për një sesion të veçantë me ç’rast pati rastin të angazhohet në një bashkëbisedë me pjesëmarrsit e këtij edicioni të Javës së Gruas.
Me këtë rast, në kuadër të diskutimit, demokracia u trajtua nga kënde të ndryshme duke potencuar se ajo nuk është kurrë një projekt i përfunduar dhe se nuk duhet të mirret kurr si e mirëqenë. Presidentja Osmani, edhe me këtë rast, theksoi se demokracia pa gjithpërfshirje nuk është kurr e plotë. Ajo foli edhe për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e demokracisë. Tutje, Presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë e fuqizimit dhe mbështetjes së grave për të garantuar qasjen e tyre në drejtësi, e cila njëherit është edhe indikator i nivelit të zhvillimit të demokracisë në vend. Gjersa foli për përvojën e vet në politikë dhe angazhimin për barazi gjinore dhe gjithpërfshirje, Presidentja Osmani përçoi një mesazh të qartë rreth rëndësisë së tregimit të historisë së vendit tonë përmes prizmit të grave dhe kontributit të tyre historik. Ajo vuri theks të veçantë te rëndësia e mbledhjes së të dhënave, historive dhe kontributeve mbi dhe për gratë nëpër etapa të rëndësishme të zvhillimit të vendit tonë.
Pjesëmarrësit kishin një sërë pyetjesh për Presidenten Osmani dhe biseda u zhvillua në drejtim të identifikimit të modaliteteve dhe mundësive të angazhimit të Zyres së Presidentes në bashkëpunim me grupe të tjera të shoqërisë për garantimin e barazisë gjinore, por edhe për integrimit të grupeve të tjera shoqërore me qëllim të avancimit tutje të nivelit të demokracisë në vend. /2LONLINE/