Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar.
Me rastin e përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Sakar për angazhimin e tij për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Me këtë rast, ajo e vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm, si dhe përkushtimin për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit.
Presidentja Osmani ka theksuar se të dy shtetet shquhen për raporte të shkëlqyeshme dhe shprehu bindjen e plotë se bashkëpunimi do të vijojë në frymën e njëjtë duke krijuar gjithnjë mundësi të reja për bashkëpunim në fusha, të cilat janë në interes të qytetarëve të të dy vendeve.
Në takim, Presidentja Osmani potencoi se Kosova llogaritë në mbështetjen e Turqisë në procese të rëndësishme që ndërlidhen ngushtë me avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. /2LONLINE/