Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani –Sadriu, njëherit Komandante Supreme e FSK-së, priti sot në takim gjeneralët e FSK-së, kryesuar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Me këtë rast, Presidentja Osmani-Sadriu, vlerësoi lart të arriturat e deritashme të FSK-së me theks të veçantë profesionalizmin dhe besueshmërinë e lartë qytetare. Ndër të tjera, ajo theksoi se nga pozita e saj do të ofroj mbështetjen maksimale në mënyrë që të përmbushet vizioni ynë strategjik shtetëror për FSK-në si forcë profesionale për realizmin e efektshëm të mbrojtjes së integritetit territorial, sigurisë së qytetarëve tanë dhe pjesëmarrjen në operacionet e përbashkëta me aleatët tanë si rrugë drejtë anëtarësimit në NATO.
Nga ana e tij, gjeneral Rama, uroi presidenten Osmani- Sadriu për zgjedhjen në postin e së parës së vendit duke e siguruar atë për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Ai siguroi presidenten Osmani-Sadriu, se bashkë me stafin e tij dhe të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e FSK-së, sikur edhe deri më tash, me angazhim të plotë do të përmbushin detyrimet kushtetuese dhe ligjore në shërbim të vendit dhe qytetarëve tanë pa dallim.