Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumirës komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Bruce W. Clingan, i shoqëruar nga pasardhësi i tij në detyrë, admirali Mark E. Ferguson si dhe
Presidentja Jahjaga e vlerësoi lartë punën e admiralit Clingan dhe angazhimin e tij dhe të NATO-s për Kosovën dhe stabilitetin e saj dhe theksoi se mirëpret vazhdimin e përkushtimit ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit edhe me pasardhësin në detyrën e komandantit në Komandën e Napolit, admiralin Ferguson.
Presidentja Jahjaga në bisedë me admiralin Clingan dhe admiralin Ferguson foli për zhvillimet aktuale politike por edhe për gjendjen e sigurisë në Kosovë, me theks të posaçëm në veri të territorit të Republikës së Kosovës. Ajo tha se Kosova ka treguar përkushtimin e saj për ndërtimin e një marrëdhënieje të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe me Republikën e Serbisë, me të cilën ka arritur edhe marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin të marrëdhënieve.
Presidentja Jahjaga tha se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen në praktikë dhe nënvizoi rëndësinë e krijimit të kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të gjithë territorin e vendit. Ajo tha se barrikadat e vendosura në urën e lumit Ibër, në Mitrovicë, po e pengojnë jetën e qytetarëve të vendit dhe kjo shënon shkelje të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, që garanton lirinë e lëvizjes dhe të drejtat e barabarta për të gjithë pa dallim.
Presidentja Jahjaga tha se NATO luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit dhe vlerësoi lartë ndihmën e Aleancës Veri-Atlantike në ngritjen e kapaciteteve dhe të standardeve të FSK-së.
Admirali Bruce W. Clingan duke e falënderuar presidenten Jahjaga për bashkëpunimin shumë të ngushtë e vlerësoi rolin dhe lidershipin e saj. Ai tha se NATO-ja me praninë e saj në Kosovë do të vazhdojë ta zbatojë misionin e saj në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit dhe të një mjedisi të sigurt për të gjitha qytetarët e Kosovës.