Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka uruar sekretarin e ri të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, për marrjen e detyrës. Në telegramin e urimit, presidenti Thaçi ka shprehur bindjen dhe besim e tij për përkushtimin e sekretarit Guterres në forcimin e rolit të organizatës më të rëndësishme globale të kombeve dhe shteteve të lira.
Ky është telegrami i presidentit Thaçi dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara:
Shkëlqesia Juaj,
Në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, Ju uroj marrjen zyrtare të detyrës së sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Republika e Kosovës si shtet i ri dhe demokratik po jep kontribut të vazhdueshëm për paqen në rajon, për rritjen e bashkëpunimit me shtetet fqinje dhe realizimin e synimeve euroatlantike.
Shteti ynë dhe institucionet e tij zotohen për bashkëpunim të ngushtë me Ju dhe mbeten të përkushtuara në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.
Shpreh bindjen dhe kam besim të plotë për përkushtimin tuaj në forcimin e rolit të organizatës më të rëndësishme globale të kombeve dhe shteteve të lira.
President i Republikës së Kosovës