Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli kanë zhvilluar një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen.
Në këtë takim është biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe 57 shteteve anëtare të kësaj organizate.
Presidenti Thaçi ka kërkuar nga sekretari Al-Othaimeen mbështetjen e OBI-it në procesin e shtimit të njohjes për Republikën e Kosovës, për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe organizata tjera ndërkombëtare.
“OBI edhe në të kaluarën ka mbështetur Republikën e Kosovës në shtimin e njohjes dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Presim vazhdimin e mbështetjes tuaj”, ka thënë presidenti Thaçi.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen ka thënë se kjo organizatë do të vazhdojë mbështetjen e gjithmbarshme për Kosovën.
Presidenti Thaçi, do të vazhdojë takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës, për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit bilateral, të shtimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.