Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.
Nga ana e tij, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur miratimin e rezolutës për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi nga Senati amerikan.
“E mirëpres miratimin e rezolutës “Bytyçi” nga Senati i SHBA-së, që shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999”, ka shkruar në profilin e tij, presidenti Thaçi.
Ja postimi i plotë i tij:
E mirëpres miratimin e rezolutës “Bytyçi” nga Senati i SHBA-së, që shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999.
Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake.
Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyçi më në fund do të vihet në vend. HTH